Mickoski: Kryetari i Gostivarit dhe gjithë të tjerët kanë përgjegjësi morale, hetimi do ta vërtetojë përgjegjësinë ligjore
Pas gjendjes alarmante të krijuar në Gostivar, ku është shpallur epidemi, kanë reaguar krerët e shtetit dhe partitë politike. Kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi përgjegjësi për situatën, duke theksuar se të gjithë ata që kanë pasur detyrime institucionale duhet të japin llogari, duke nisur nga kryetari i komunës. Sipas tij, përgjegjësia morale nuk mund të shmanget në një situatë të tillë. Ai shtoi se nga sot Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” në Gostivar duhet të nisë procesin e pastrimit të sistemit dhe dezinfektimit.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Përgjegjësi morale, absolutisht, atje të gjithë, nga i pari deri te i fundit, duhet të mbajnë përgjegjësi. Përveç asaj që supozoj se prokuroria do të merret me një lloj tjetër përgjegjësie, pres që, nga kryetari i komunës e poshtë, të gjithë të mbajnë një përgjegjësi të caktuar morale”.
Ndërkaq, nga partia VLEN, që janë pjes e qeverisë njoftojnë se po e ndjekin me shqetësim gjendjen në Gostivar, duke theksuar se shëndeti dhe siguria e qytetarëve të Gostivarit janë prioritet absolut.
Partia VLEN
“Ne nuk kemi qëndruar duarkryq. Përmes institucioneve shtetërore, qytetarëve të Gostivarit po u sigurohen çdo ditë 50 mijë litra ujë të pijshëm falas, i cili do të shpërndahet në disa pika të qytetit për aq kohë sa do të jenë në fuqi masat dhe rekomandimet”.
Ndërkohë, nga partia opozitare LSDM akuzojnë se institucionet që në fazat e hershme kanë pasur informacione dhe dyshime të qarta për pasigurinë e ujit, si dhe për rritjen e pazakontë të numrit të pacientëve.
NASTASHA POPOVIQ, LSDM
“Nuk mund të dëgjojmë më deklarata boshe të tipit: ‘Shumë shpejt do të dalim me informacion’, ‘Për disa ditë gjithçka do të dihet’, ‘Një pjesë do t’i mësoni së shpejti’, dhe më pas të shtiremi të habitur se si ka mundur të ndodhë kjo. Qytetarët e Gostivarit meritojnë përgjigje: pse u prit kaq gjatë dhe kush do të mbajë përgjegjësi për faktin që sinjalet paralajmëruese nuk u njohën dhe nuk u trajtuan me kohë?”.
Nga LSDM kërkuan përgjegjësi të menjëhershme politike dhe institucionale për rastin në Gostivar, duke theksuar se qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën dhe se askush nuk duhet të mbetet pa u përballur me përgjegjësinë për këtë krizë shëndetësore.
Samir Mustafa /SHENJA/