Operacioni i AKI’së, shtetasi turk që ra në pranga krijoi rrjet rekrutimi të punonjësve me skuter nga Turqia në “Wolt”
Dervish Kelleci, shtetas turk, pronar i një biznesi të regjistruar në Kosovë, u arrestua të mërkurën në një operacion të përbashkët policor mes Policisë, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
38-vjeçari, i cili sipas të dhënave publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figuron si pronar i një biznesi që merret me tekstil dhe veshmbathje, dyshohet se falsifikonte dokumentacionin e shtetasve të huaj, kryesisht turq, të cilët më pas punësoheshin si shpërndarës të ushqimit me skuterë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe AKI-së, skema e dyshuar korruptive funskiononte në bashkëpunim me zyrtarë të administratës të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kelleci dyshohet se vepronte si ndërmjetës mes punëtorëve të huaj dhe kompanive që ofrojnë shërbime të shpërndarjes së ushqimit në Kosovë.
Përmes postimeve në gjuhën turke, ai ftonte persona të interesuar të aplikonin për punë si korrierë me motoçikletë.
Kelleci ishte aktiv edhe në grupin e Facebook-ut “Grup për ndarjen e mundësive të punës dhe jetës në Kosovë”, ku publikonte shpallje për punësimin e korrierëve.
“PRISHTINË – KËRKOHEN KORRIERË ME MOTOCIKLETË!”, thuhej në njërën prej shpalljeve të publikuara prej tij.
Në një tjetër njoftim, ai u drejtohej kandidatëve me mesazhin: “Nëse dëshironi të filloni punë pa asnjë pagesë, na kontaktoni. Nuk jemi kompani ndërmjetësuese apo konsulence – po kërkojmë kolegë që do të punojnë drejtpërdrejt me ne.”
Nga postimet e publikuara rezulton se Kelleci u ofronte punëtorëve edhe pajisjet e nevojshme për punë, përfshirë motoçikletën, çantën dhe helmetën. Në një prej shpalljeve ai promovonte edhe mundësinë që punëtorët ta blinin motoçikletën me këste, duke shkruar: “Mundësi për t’u bërë pronar i motoçikletës me këste.”

