Kërkoi 18.000 denarë ryshfet për të mos i hequr ndihmën sociale, arrestohet zyrtari në Prilep
Një zyrtar i punësuar në Qendrën e Punësimit në Prilep dyshohet se ka kërkuar ryshfet në vlerë prej 18.000 denarësh nga një banor i fshatit Belo Pole, duke i premtuar se do ta ndihmonte të mos humbte të drejtën e ndihmës sociale dhe se do ta regjistronte gruan e tij si kërkuese aktive të punës.
Sipas Prokurorisë, rasti nisi më 23 prill, pasi i dëmtuari dhe bashkëshortja e tij, përfitues të ndihmës sociale, morën një mesazh nga Agjencia e Punësimit për t’u paraqitur në një trajnim për punë. I dyshuari dyshohet se i ka thënë qytetarit se, nëse refuzonte trajnimin, do t’i hiqej ndihma sociale. Për të shmangur këtë, ai i kërkoi t’i paguante gjysmën e shumës së ndihmës sociale, përkatësisht 6.000 denarë në muaj.
Prokuroria njofton se zyrtari gjithashtu i premtoi se do ta regjistronte gruan e tij në sistemin elektronik të Agjencisë si kërkuese aktive të punës, edhe pse ajo nuk kishte kartelë kontrolli dhe nuk paraqitej rregullisht në Qendrën e Punësimit.
Sipas hetimeve, një ditë më vonë i dëmtuari i dorëzoi fillimisht 4.000 denarë, më pas edhe 2.000 denarë të tjerë, ndërsa pagesat vazhduan çdo muaj.
Policia e arrestoi të dyshuarin më 24 korrik, gjatë dorëzimit të këstit të fundit prej 6.000 denarësh. Gjatë aksionit, te zyrtari u gjetën dhe u sekuestruan kartëmonedhat e shënuara, pas së cilës ai u ndalua menjëherë.
Prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prilepit caktimin e masës së paraburgimit. Ndaj të dyshuarit është ngritur procedurë për veprën penale “marrje ryshfeti”.
