Ministria e Energjisë shpalli thirrje publike: Deri në 30.000 denarë subvencion për lidhje ose kaldajë të gazit natyror
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale ka shpallur thirrje publike për ndarjen e subvencioneve për kyçje në rrjetin e gazit natyror dhe për blerjen e kaldajave me gaz. Përmes kësaj mase, amvisëritë mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 30.000 denarë, ose deri në 70 për qind të shpenzimeve të realizuara.
Sipas ministrisë, afati për dorëzimin e kërkesave është deri më 31 tetor 2026, ndërsa të gjithë qytetarët që i plotësojnë kushtet kanë kohë të mjaftueshme për të aplikuar.
Nga ministria theksojnë se masa synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve për investimet në gazifikim, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e efikasitetit energjetik, përdorimin e një energjenti më të pastër dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor.
Të drejtë për mbështetje financiare kanë amvisëritë që gjatë vitit 2026 do ta realizojnë kyçjen e shtëpisë në sistemin e shpërndarjes së gazit natyror, si dhe ato që do të blejnë një kaldajë me gaz për një objekt që ka qenë i kyçur në sistem deri më 1 janar 2026. Për secilën amvisëri mund të parashtrohet vetëm një kërkesë.
Për zbatimin e kësaj mase janë siguruar 3 milionë denarë. Mjetet do të ndahen sipas parimit “i pari që aplikon – i pari që përfiton”, deri në shterimin e fondit.
Pas përfundimit të afatit për aplikim, një komision i formuar nga Ministria do t’i shqyrtojë kërkesat e dorëzuara, ndërsa mbështetja financiare do t’u paguhet të gjithë përfituesve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara.
Ministria u bën thirrje qytetarëve që planifikojnë kyçjen në rrjetin e gazit natyror ose blerjen e një kaldaje me gaz të mos e humbasin mundësinë për të përfituar nga mbështetja shtetërore dhe ta dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit.
