Policia arreston 18 shoferë brenda 24 orëve, 17 prej tyre pa patentë
Policia gjatë 24 orëve të fundit ka privuar nga liria 18 shoferë në territorin e vendit për shkak të drejtimit të papërgjegjshëm të automjeteve, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas MPB-së, 17 nga shoferët e arrestuar drejtonin automjete pa patentë shoferi. Prej tyre, pesë janë kapur në Shkup, tre në Prilep, ndërsa nga një në Manastir, Koçan, Dellçevë, Kërçovë, Vallandovë, Gjevgjeli, Veles, Negotinë dhe në rajonin e Tetovës.
Një rast i veçantë ka të bëjë me një shofer nga fshati Dulicë, në komunën e Makedonska Kamenicës, i cili drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe shkaktoi një aksident trafiku me dëme materiale.
MPB bëri të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të ngrihen kallëzime penale përkatëse.
Nga Ministria u bëhet sërish thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, nëse u është ndaluar drejtimi ose kur janë nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.
