BDI akuzon për shkurtime në shëndetësi dhe investime “në letër”
“300 milionë denarë investime vetëm në letër, ndërsa shkurtohen fondet për parandalimin dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, këto janë pretendimet që ka ngritur BDI, duke akuzuar se ribalanci i buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë parashikon investime që, sipas tyre, ekzistojnë vetëm në letër, ndërsa redukton mjetet për programe që lidhen me parandalimin e sëmundjeve, shëndetin e nënave dhe fëmijëve, si dhe shëndetin mendor.
Nga BDI thonë se në ribalancin e buxhetit janë paraparë 300 milionë denarë për rikonstruksion dhe zgjerim të objekteve shëndetësore, megjithëse, sipas tyre, këto mjete nuk janë siguruar nga buxheti bazë, por nga një llogari vetëfinancuese që, sipas burimeve brenda Ministrisë së Shëndetësisë, realizon vetëm 1 deri në 3 milionë denarë në vit.
IMRAN ZHUPANI, BDI
“Si mund të planifikohen 300 milionë denarë nga një burim që, sipas të dhënave të brendshme, siguron vetëm një pjesë minimale të kësaj shume? Nga do të vijnë realisht këto para? A ekzistojnë këto mjete, apo janë vendosur vetëm në letër për nevoja të propagandës ditore? Dhe a po krijohen detyrime ndaj kompanive pa mbulim financiar, duke rrezikuar që më pas shteti të përballet me padi për punë të kryera dhe të papaguara?”.
Ata thonë se ndërkohë që Qeveria paraqet këtë investim të dyshimtë prej 300 milionë denarësh, dokumentet tregojnë shkurtime konkrete në programet që mbrojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve. Buxheti i përgjithshëm për mbrojtjen shëndetësore preventive është ulur për 7.2 milionë denarë.
Ndaj nga BDI kërkojnë prej Ministrisë së Shëndetësisë që menjëherë të publikojnë realizimin e llogarisë së vetëfinancimit për tri vitet e fundit, burimin konkret të 300 milionë denarëve, arsyet për shkurtimin e secilit program preventive, si dhe numrin e qytetarëve dhe shërbimeve që do të preken.
Anida Murati /SHENJA/
