“Nëse vazhdohet kështu nuk ka kuptim që të ekzistojnë” – Kelmendi thotë se nevojiten ndryshime radikale te partitë opozitare
Autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, ka kërkuar ndryshime radikale në mënyrën e udhëheqjes së partive të ish-opozitës në Kosovë.
I ftuar në emisionin VV Show me Vehbi Kajtazin e Visar Ymerin, Kelmendi ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend. Veçanërisht për Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së.
Sipas Kelmendit, LDK-ja nuk është partia e vetme opozitare të cilës i nevojitet ndryshim. Ai ka vlerësuar se partive të opozitës i nevojiten ndryshime radikale, për çka ka thënë ai se nuk po mund t’i bëjnë ballë Kurtit në këtë mënyrë.
“Duhet të jemi i sinqertë, jo vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, por nëse këto subjekte politike ekzistuese opozitare nuk arrijnë që ta ndërrojnë trendin e rritjes së tyre dhe ta mundin në një të ardhme Albin Kurtin, jo vetëm pse është ai, por partitë politike luftojnë për pushtet. Atëherë, nuk ka kuptim fare që të ekzistojnë që të gjitha. Duhet të ndryshojë radikalisht diçka në subjektet politike në mënyrë që të shihen si alternativë për të ndërruar një pushtet që shumica e qytetarëve më nuk e shohin si zgjidhje të problemeve të tyre”, ka thënë Kelmendi në VV Show.
Sipas tij, duke marrë për bazë rezultatet e fundit të cikleve zgjedhore, votat e Vetëvendosjes janë në rënie, mirëpo ato nuk po mund t’i përthithin partitë opozitare.
Kelmendi ka thënë se VV-ja mban rekordin për rritjen më të shpejtë dhe më të madhe të votave, mirëpo në të njëjtën kohë sipas tij, VV-ja mban edhe “rekordin e zi” për rënien më të madhe të numrit të votave në një periudhë shumë të shkurtër.