Maqedonia siguron 149 milionë euro për lidhjen përfundimtare me Bullgarinë
Qeveria njofton nisjen e fazës së tretë të segmentit hekurudhor Kriva Pallankë–Deve Bair, në kuadër të Korridorit 8. Gjegjësisht u bë nënshkrimi i marrëveshjes për sigurimin e pjesës financiare të këtij projekti infrastrukturor. Nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor e BE-së janë ndarë 149 milionë euro në formë granti.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikollovski, u shpreh se punimet në terren priten të fillojnë gjatë këtij vitit. Ndërsa njoftoi se është planifikuar që një kontraktor të zgjidhet në vjeshtë. Shtoi se tashmë ka një tender aktiv për përzgjedhjen e një mbikëqyrësi dhe po zhvillohet në dy faza, parakualifikimi që është në fazat përfundimtare dhe kualifikimi, dhe tenderi i ndërtimit do të jetë në një fazë.
Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve
“Arritëm që të bëjmë marrëveshje me Bullgarinë për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar që duhet të lidhë të dy vendet. Presim që takimi i dytë ndërqeveritar të mbahet në Shkup në fund të këtij muaji dhe mesazhi është i qartë – të dy vendet po i dërgojnë një letër të përbashkët BE-së, BEI-së dhe BERZH-it, për të siguruar një grant për ndërtimin e tunelit, i cili, jam i bindur, do të jetë shumë më i madh se fondet e grantit që janë diskutuar deri më tani”.
Kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh se 30 vite e kanë pritur që të përfundoj ky projekt.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Isha adoleshent kur për herë të parë u përmend pjesa lindore e Korridorit 8. Sot jam Kryeministër dhe mund të them me kënaqësi se pjesa lindore e Korridorit 8 më në fund do të përfundojë. Nëse atëherë isha adoleshent, dhe tani jam 48 vjeç, kjo do të thotë se kemi pritur për më shumë se 30 vjet që kjo Qeveri ta mbyllë më në fund projektin që dikush dikur na e shpallte të përfunduar”.
Sipas ministres Dimitrieska-Koçoska, dokumentet që nënshkruhen sot krijojnë kushte për vazhdimin e pandërprerë të zbatimit të njërit prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave
“Me ribalansin e Buxhetit për vitin 2026, kemi siguruar 5,8 miliardë denarë shtesë për shpenzime kapitale, përkatësisht 14,3% më shumë se mjetet e planifikuara fillimisht. Ato janë një investim në konkurrencë më të lartë të ekonomisë vendase, për lidhje më të mirë rajonale, për mundësi të reja për biznes dhe në një standard më të lartë jetese për qytetarët”.
Për qeverinë, ky është projekti më kompleks i infrastrukturës që vendi ka pasur ndonjëherë. Do të ketë gjithsej 21 tunele dhe 52 ura e viadukte në një shtrirje prej 22 kilometrash.
Emine Ismaili /SHENJA/
