Komunat zgjerojnë paketat e ndihmës për të rinjtë
Disa komuna në vend po ndërmarrin masa të ndryshme mbështetëse për qytetarët, përmes subvencioneve për kategori të caktuara – nga nxënësit dhe familjet në nevojë, deri te të rinjtë.
Komuna e Karposhit paguan mbi 3.4 milionë denarë për subvencione për leje drejtimi të kategorisë B për banorët e rinj të komunës. Deri më tani janë paraqitur 264 aplikime.
KOMUNA KARPOSH
“Komuna e Karposhit vazhdon të zbatojë masën për subvencionimin e trajnimit teorik dhe praktik për marrjen e një leje drejtimi të kategorisë B për banorët e rinj të komunës. Deri më tani janë paraqitur 264 aplikime, nga të cilat 216 të rinj e kanë përfunduar plotësisht procedurën. Deri më tani për këtë qëllim janë paguar 3,445,048 denarë”.
Për zbatimin e masës janë siguruar gjithsej 5 milionë denarë, ndërsa thirrja publike mbetet e hapur deri në fund të vitit 2026 ose derisa të shterohen fondet e planifikuara.
Kjo komunë po ashtu ka ndarë çanta dhe mjete shkollore për të gjithë nxënësit e klasës së parë pa përjashtim.
Nxënësit nga familjet me të ardhura të pakta nga Komuna e Gazi Babës do të mund të marrin pjesë falas në ekskursione shkollore. Atyre, kjo mundësi do tu jepet në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet jashtë për shkak të arsyeve financiare. Komuna informon se masa është pjesë e aktiviteteve të tyre për të mbështetur familjet që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit.
KOMUNA GAZIBABË
“Ekskursionet nuk janë vetëm një udhëtim, por një mundësi për të fituar njohuri të reja, për të krijuar miqësi dhe kujtime të paharrueshme. Prandaj, ne besojmë se çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë të jetë pjesë e këtyre aktiviteteve shkollore”.
Ndërkaq, nga Komuna e Çairit njoftojnë se Programi për Mbrojtje Sociale për vitin 2026 parasheh disa masa për mbështetjen e qytetarëve në nevojë. Për familjet në rrezik social janë planifikuar 3 milionë denarë ndihmë financiare, ndërsa 720 mijë denarë janë ndarë për lirimin nga pagesa e qëndrimit në kopsht për 30 fëmijë. Programi përfshin edhe 200 mijë denarë për mbështetjen e personave me nevoja të veçanta, 300 mijë denarë për aksione humanitare, si dhe bashkëpunim me Kryqin e Kuq për patrulla sociale dhe shërbime të përkujdesjes në shtëpi. Komuna ka paraparë gjithashtu masa për përfshirjen e fëmijëve romë në edukimin parashkollor.
KOMUNA ÇAIR
“Sa u takon subvencioneve për studentë, të rinj dhe pensionistë aktualisht nuk ka një skemë të përgjithshme financiare për këto kategori, por mundësia për masa të reja do të shqyrtohet në të ardhmen, në varësi të kapaciteteve buxhetore”.
Në ndërkohë qyteti i Shkupit Qyteti i Shkupit ka njoftuar se duke filluar nga ky vit shkollor, të gjithë nxënësit që regjistrohen në vitin e parë të shkollave të mesme do të pajisen me uniforma falas. Masa synon të zvogëlojë dallimet sociale mes nxënësve, të lehtësojë barrën financiare të familjeve dhe të krijojë një mjedis më të barabartë dhe më të sigurt në shkolla.
Anida Murati /SHENJA/
