Qeveria miraton listën e parë prioritare me 41 projekte kapitale për vitin 2027
Ministria e Financave njofton se Qeveria ka miratuar listën e parë prioritare me 41 propozim-projekte kapitale për vitin 2027. Lista përfshin projekte në disa fusha strategjike, përfshirë infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, energjetikën, digjitalizimin, bujqësinë dhe menaxhimin e ujërave.
Sipas Ministrisë së Financave, projektet e përfshira në listë janë propozuar dhe kontrolluar fillimisht nga institucionet iniciuese, ndërsa më pas janë vlerësuar nga Ministria e Financave dhe miratuar nga Komiteti i Investimeve Publike.
Procesi i mbledhjes dhe vlerësimit të ideve për propozim-projekte ka nisur pas miratimit të Rregullores për menaxhimin e investimeve publike. Në këtë fazë janë përfshirë projekte me vlerë të mesme dhe të madhe, përkatësisht me vlerë mbi 5 milionë euro.
Ministria e Financave ka realizuar kontroll të detajuar të dokumentacionit, cilësisë së të dhënave të paraqitura, rëndësisë strategjike dhe gatishmërisë së projekteve për zhvillim të mëtejshëm.
“Bazuar në atë analizë, është përgatitur lista e ideve për propozim-projekte për investime publike, së bashku me mendimin mbi aspektet financiare, qëndrueshmërinë dhe fizibilitetin e ideve të propozuara. Lista më pas iu parashtrua Komitetit të Investimeve Publike për miratim dhe për përcjellje në Qeveri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Nga Ministria sqarojnë se lista e parë përfundimtare prioritare do të shërbejë si bazë e rëndësishme për përcaktimin e investimeve të reja kapitale gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit për vitin 2027.
Ajo do të merret parasysh edhe gjatë hartimit të programeve investuese të ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare në pronësi shtetërore. Kjo nënkupton se institucionet, gjatë planifikimit të investimeve të ardhshme, duhet t’i harmonizojnë ato me listën prioritare.
Megjithatë, Ministria e Financave thekson se përfshirja e një projekti në listën prioritare nuk nënkupton automatikisht sigurimin e financimit dhe as përbën vendim përfundimtar për zbatimin e tij.
