Kufizime në autostrada për automjetet mbi 20 tonë, nga ora 11:00 deri në 17:30
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se sot do të ketë kufizime të qarkullimit në autostrada për automjetet që transportojnë mallra dhe peshojnë mbi 20 tonë.
Kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta, të cilat pritet të kalojnë 32 gradë Celsius.
Masa vlen vetëm për autostradat. Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, automjetet mbi 20 tonë do të mund të qarkullojnë normalisht.
Nga kufizimi përjashtohen automjetet e policisë, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u bën thirrje drejtuesve të automjeteve dhe operatorëve të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë udhëtimet sipas orarit.
