Nikolloski për problemin e transportuesve: Kërkohen zgjidhje konkrete përmes bashkëpunimit dypalësh
Qeveria dhe Ministria e Transportit vazhdojnë të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballen transportuesit e Maqedonisë për shkak të vendosjes së sistemit “EES2 (Entry/Exit System) në Bashkimin Evropian, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me paralajmërimet e një pjese të transportuesve për protesta të mundshme nëse deri më 1 shtator nuk gjendet zgjidhje, Nikolloski tha se Qeveria ka komunikim të rregullt me shoqatat e transportuesve dhe se po kërkohen zgjidhje konkrete përmes bashkëpunimit dypalësh me vendet e zonës Shengen. Protesta, sipas tij, është zgjidhje politike e një shteti fqinj.
“Kemi takime të rregullta, nëse jo një herë në javë, atëherë çdo dy javë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Kjo çështje është një nga qindra çështjet që po i zgjidhim. Sa i përket problemit që u shfaq me vendosjen e sistemit “Entry-Exit” të Bashkimit Evropian, ne po bëjmë maksimumin tonë dhe transportuesit kanë mbështetje të plotë”, theksoi Nikolloski.
Ai theksoi se çështja është në kompetencë të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen, por shtoi se shteti po ndërmerr hapa për tejkalimin e pasojave përmes lidhjes së marrëveshjeve dypalëshe me vende të veçanta.
Ai informoi se Maqedonia e Veriut tashmë ka marrëveshje të tilla me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë, ndërsa intensivisht po punohet për marrëveshje me Austrinë, Hungarinë dhe Gjermaninë.
Lidhur me protestat e paralajmëruara, ministri theksoi se nuk i konsideron ato si zgjidhjen më të mirë.
“Mendoj se është më konstruktive të gjejmë zgjidhje dhe nuk mendoj se protestat janë zgjidhje. Sigurisht, ato janë forma e fundit, por ne gjatë periudhës së kaluar kemi gjetur zgjidhje dhe do të vazhdojmë t’i gjejmë”, theksoi Nikolloski.
Ai shtoi se ka përshtypjen se pas një pjese të presioneve të lidhura me këtë çështje qëndrojnë edhe motive politike nga vendet fqinje.
Nikolloski tha se nuk pajtohet me qasjen që problemet e shteteve të rajonit të trajtohen në mënyrë kolektive nën etiketën “Ballkani Perëndimor”, duke theksuar se Maqedonia duhet t’i përfaqësojë në mënyrë të pavarur interesat e saj.
