Iseni: BDI çdo ditë gënjen, ne do të përgjigjemi me fakte
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj akuzave të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me punësimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Iseni ka hedhur poshtë pretendimet e BDI-së, duke i cilësuar ato si “shpifje” dhe duke theksuar se, sipas tij, faktet i demantojnë akuzat e opozitës.
“BDI-ja çdo ditë gënjen, në çdo ditë i demantojmë”, ka deklaruar Iseni.
Sipas zëvendësministrit, në konkursin e fundit në MPB janë realizuar gjithsej 496 punësime, prej të cilëve mbi 70 janë shqiptarë.
“Në konkursin e fundit kanë qenë 496 punësime, prej të cilëve mbi 70 shqiptarë. Këto janë fakte, jo propagandë”, tha Iseni.
Në reagimin e tij, Iseni është ndalur edhe te periudha kur BDI ishte në pushtet. Ai ka rikujtuar se në atë kohë kjo parti kishte edhe zëvendësministër në MPB, ndërsa, sipas tij, ministri i atëhershëm nuk i lejonte zëvendësministrat të flisnin publikisht.
“Kur BDI-ja ishte në pushtet dhe kishte edhe zëvendësministër në MPB, ministri i atëhershëm, në paraqitjet publike, ua mbyllte gojën dhe nuk i lejonte të flisnin”, deklaroi Iseni.
Ai ka akuzuar BDI-në për standarde të dyfishta, duke thënë se të njëjtët persona që, sipas tij, atëherë heshtnin, sot kritikojnë qeverisjen aktuale.
Iseni ka përfunduar reagimin duke thënë se MPB-ja do të vazhdojë t’u përgjigjet akuzave të BDI-së me të dhëna dhe fakte.
“Le të vazhdojnë me gënjeshtra. Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi me fakte”, ka shkruar ai.
