Macinka: Prioritet i Çekisë është që Maqedonia e Veriut sa më shpejtë të bëhet anëtare e BE-së
Republika e Çekisë e mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe është e gatshme të bëjë gjithçka që duhet që vendi sa më shpejtë të bëhet anëtare e Unionit, porositi sot zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Petr Macinka, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Në takimin plenar në Vilën “Ohri” Macinka theksoi se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është prioritet për Çekinë dhe se vendi është i gatshëm ta ndajë përvojën e tij nga procesi i anëtarësimit.
“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është përparësi për Republikën Çeke. Është në interesin tonë të përbashkët që Bashkimi Evropian të zgjerohet me vendet që po kalojnë nëpër negociata pranimi, në të njëjtën mënyrë siç po bën vendi juaj. Procesi ynë i pranimit nuk ishte i lehtë, zgjati shumë. Ne nuk bëmë gjithçka siç duhet gjatë atij procesi, kështu që kemi shumë përvojë që mund ta ndajmë, në mënyrë që të mos përsërisni gabimet që bëmë. Por, gjatë gjithë asaj kohe, ne donim ta ndryshonim vendin tonë që të ishte anëtar i Bashkimit Evropian. Ne kishim nevojë të kishim dikë nga brenda që mund të fliste të njëjtën gjuhë, që kishte të njëjtën pikëpamje për botën si ne, që i kuptonte gjërat në Bashkimin Evropian. Tani jemi në një situatë ku jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, por unë i siguroj ministrit Mucunski dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë të Maqedonisë së Veriut se ne jemi një vend vërtet miqësor”, theksoi Macinka.
Ministri çek i Punëve të Jashtme porositi se Maqedonia e Veriut mund të llogarisë në Çekinë si vend mik dhe se Praga e ndjek kompleksitetin e procesit të anëtarësimit të vendit.
“Por duhet t’ju siguroj se qëllimi ynë parësor është ta shohim Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për ju, por edhe për ne”, tha Macinka.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, theksoi se vizita realizohet në vitin në të cilin vendi e shënon 35-vjetorin e pavarësisë, ndërsa marrëdhëniet diplomatike me Çekinë hyjnë në dekadën e katërt.
“Kjo vizitë zyrtare po realizohet në një vit kur festojmë 35 vjet pavarësi të vendit tonë, por edhe në një periudhë kur hyjmë në dekadën e katërt të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Në dekadat e kaluara, kemi ndërtuar marrëdhënie miqësie të sinqertë, besimi të ndërsjellë dhe partneriteti. Vizita e sotme është pikërisht kjo – konfirmim i një vullneti të qartë politik jo vetëm për të ruajtur këtë partneritet, por për t’i dhënë atij përmbajtje të re”, tha Mucunski.
Ai theksoi se me homologun çek kanë biseduar për thellimin e dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, investimeve, emigrimit, si dhe bashkëpunimit në kulturë dhe arsim.
“Diskutuam për disa tema, duke përfshirë thellimin e dialogut politik, bashkëpunimin ekonomik, tregtinë dhe investimet, emigracionin si temë, por edhe bashkëpunimin në kulturë dhe arsim. Në frontin ekonomik, ka hapësirë të konsiderueshme për më shumë. Republika Çeke është tashmë ndër 15 partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë, por ambicia jonë është ta ngremë këtë bashkëpunim në një nivel edhe më të lartë. Ne shohim mundësi konkrete për transportin dhe infrastrukturën, energjinë, turizmin, bujqësinë dhe investimet teknologjike”, tha Mucunski.
E theksoi edhe mbështetjen e Çekisë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Çekia është partnere shumë e rëndësishme evropiane dhe euroatlantike e shtetit tonë. Veçanërisht e vlerësojmë mbështetjen e saj parimore dhe të vazhdueshme për perspektivën evropiane të rajonit tonë dhe për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian”, tha Mucunski.
Në lidhje me integrimin evropian, Mucunski, gjithashtu, porositi se ai mbetet përcaktimi ynë strategjik dhe se vendi është i gatshëm t’i zbatojë reformat dhe t’i përmbushë standardet evropiane, por pret që procesi të jetë i besueshëm dhe i parashikueshëm.
“Për ne integrimi evropian mbetet përcaktim strategjik. ne jemi të gatshëm ta përfundojmë punën tonë, t’i zbatojmë reformat dhe t’i plotësojmë standardet evropiane. por në të njëjtën kohë jemi të qartë se procesi duhet të jetë kredibil dhe i parashikueshëm dhe se përparimi duhet të vlerësohet në bazë të rezultateve, meritave dhe kritereve prej më parë të përcaktuara evropiane. Në këtë kuptim, ne nuk kërkojmë trajtim më të provilegjuar, ne kërkojmë proces korrekt dhe evropian”, tha Mucunski.
Ai theksoi se reformat zbatohen para së gjithash për qytetarët dhe se integrimi i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm edhe në aspekt të sigurisë dhe stabilitetit evropian.
“Reformat para së gjithash i bëjmë për qytetarët tanë. Ato duhet të nënkuptojnë institucione më të mira, sundim më të fortë të ligjit, ekonomi më konkurruese dhe standard më të lartë për jetesë. Por, kur një vend i plotëson detyrimet e veta, Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm ta njohë këtë dhe ta vlerësojë atë në mënyrë adekuate. Ne besojmë në një Evropë që merr vendime dhe që përmbush premtimet e saj dhe që kupton se integrimi i Ballkanit Perëndimor sot nuk është vetëm çështje zgjerimi, por edhe çështje sigurie, stabiliteti dhe kredibilitet gjeopolitik evropian”, tha Mucunski.
Në biseda janë përfshirë edhe çështje që lidhen me sigurinë, me ç’rast Mucunski theksoi se të dy vendet, si aleatë të NATO-s, kanë përgjegjësi të përbashkët për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë dhe rajon.
“Si aleatë të NATO-s, biseduam për nevojën për përforcim të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit tonë, si dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, por edhe të rajonit tonë”, tha Mucunski.
