Shifra alarmante në trafik: 6.932 kundërvajtje dhe 503 kallëzime penale
Mbi 6.900 kundërvajtje janë konstatuar gjatë aksioneve të përforcuara të kontrollit ndaj drejtuesve të biçikletave me motor ndihmës, mopedëve, motoçikletave, triçikleve dhe katërçikleve, të zhvilluara në të gjithë territorin e vendit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kontrollet janë zhvilluar në periudhën 18 maj deri më 31 korrik 2026, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë konstatuar gjithsej 6.932 kundërvajtje nga drejtuesit e këtyre mjeteve, si dhe 33 kundërvajtje të kryera nga drejtuesit e biçikletave.
Numri më i madh i shkeljeve është regjistruar në territorin e SPB Shkup, me 2.146 kundërvajtje, pasuar nga SPB Manastir me 992, SPB Veles me 856, SPB Kumanovë me 583, SPB Shtip me 544, SPB Tetovë me 541, SPB Ohër me 420 dhe SPB Strumicë me 327 kundërvajtje. Njësiti Mobil për Sigurinë e Trafikut Rrugor ka konstatuar gjithsej 556 kundërvajtje.
Një nga shkeljet më të shpeshta ka qenë mosmbajtja e helmetës mbrojtëse. Nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve, 5.678 raste kanë të bëjnë me drejtimin e mjeteve pa helmetë.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe 15.715 kundërvajtje të tjera, ndërsa ndaj 503 drejtuesve janë paraqitur kallëzime penale, në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se për të gjitha kundërvajtjet e konstatuara janë ndërmarrë masat përkatëse, në përputhje me Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se do të vazhdojë me kontrollet e përforcuara në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe respektimin e rregullave rrugore.
MPB-ja u bën apel drejtuesve të biçikletave, mopedëve, motoçikletave, triçikleve, katërçikleve dhe mjeteve të lehta elektrike që të respektojnë rregullat e trafikut, të përdorin detyrimisht helmetën mbrojtëse dhe të mos drejtojnë mjete nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera psikoaktive.
