Sejdi kundër ministrit Shasivari: Provimi i jurisprudencës në teori dhe praktikë duhet të mbahet në shqip
Kryetari i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdi, ka kundërshtuar zgjidhjen e propozuar nga Ministria e Drejtësisë e Jeton Shasivarit, sipas së cilës, pjesa teorike e provimit të Jurisprudencës mund të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike duhet të jepet në gjuhën maqedonase.
Sejdi thotë se studentët shqiptarë e kanë refuzuar këtë propozim dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë zhvillimin e plotë të provimit në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.
“Pas gjithë atyre kërkesave, përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është: teoria në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht.Këtë zgjidhje ne si studentë e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë.Sepse nuk po kërkojmë diçka që nuk ekziston në ligj.Neni 9 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë. Në procedurat gjyqësore dhe në procedurat e tjera para gjykatave, prokurorive dhe institucioneve përdoret edhe gjuha që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve dhe shkrimi i saj.Madje, paragrafi 2 i këtij neni thotë se të gjitha procedurat zhvillohen edhe në atë gjuhë, kur pjesëmarrësi në procedurë e flet atë gjuhë.Ndërsa paragrafi 4 i obligon institucionet të sigurojnë përkthimin e dokumenteve dhe materialeve të nevojshme.Prandaj pyetja jonë është shumë e thjeshtë:Ku në ligj shkruan se teoria mund të jepet në shqip, ndërsa praktika duhet patjetër të jepet në maqedonisht?Nëse ligji thotë “të gjitha procedurat”, atëherë nuk mund të interpretohet ligji vetëm në pjesën që i përshtatet një zgjidhjeje të caktuar.Dhe z. Ministër, pas muajsh pritjeje, nuk kemi nevojë të na bindni se kjo është “avancim”.Na bindni me ligj. Na tregoni nenin që e ndalon.Deri atëherë, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë:Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, teori dhe praktikë.Asnjë hap prapa.Ai argumenton se kërkesa e studentëve nuk është jashtë kornizës ligjore, duke iu referuar nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, ka shkruar Sejdi në reagimin e tij.
Ky reagim vjen pasi sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari tha se përpara se të marrë formën zyrtare çështja e provimit të jurisprudencës, ai do të organizojë takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike për t’ua prezantuar zgjidhjen ligjore, ndërsa shtoi se në Ministri kanë arritur kërkesa që kërkohet provimi krahas shqipes të jepet edhe në gjuhën angleze dhe turke.
