Ramadani: VV-ja është në panik ligjor, për zgjedhjen e presidentit duhet marrëveshje politike
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është në “panik ligjor” për veprimet që ka ndërmarrë, ndërsa ka thënë se veprimet e tjera politike të VV-së janë “alibi” për të mos gjetur zgjidhje për krizën institucionale.
Ramadani ka thënë se thelbi i situatës politike në Kosovë mbetet moskonstituimi i Kuvendit.
“Sot është dita e 18 e bllokadës së re, pas qindra ditëve të bllokadave të kaluara që ka bërë VV dhe është duke vazhduar ta bëjë. Thelbi i krejt situatës në të cilën është Kosova, është moskonstituimi i Kuvendit. Unë mendoj që VV-ja është në panik ligjor dhe jo vetëm politik për veprimet që ka bërë dhe ata e kanë vendos me dërgu vendin në zgjedhje dhe gjitha të tjerat janë vetëm alibi”, tha ai, raporton eo.
ADVERTISING
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Ramadani ka përsëritur se Aleanca nuk është e interesuar për marrëveshje politike partiake, por ka theksuar se mbështetja e saj varet nga gjashtë kërkesat që kjo parti i ka paraqitur.
“Në secilën rrethanë politike, për Aleancën është e qartë. Për zgjedhjen e presidentit duhet marrëveshje politike, dhe për marrëveshje politike partiake ne nuk jemi të interesuar, por jemi të interesuar për gjashtë kërkesat tona që janë jetike për Kosovën. Marrëveshjen për emrin le ta bëjnë, por ne duhet ta shohim atë marrëveshje nëse i përfshin gjashtë çështjet që ne i kemi ngritur, nëse nuk i përfshijnë, ne nuk mund t’i ndihmojmë”, tha ai.