PLD kërkon përgjegjësi nga Qeveria për glorifikimin e Ratko Mlladiqit
Partia Liberal-Demokrate (PLD) ka reaguar ndaj glorifikimit të Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Nga PLD thonë se glorifikimi i një personi të dënuar për gjenocid nuk mund të arsyetohet me dallime politike, kombëtare apo me interpretime të ndryshme të historisë.
“Ky nuk është çështje e qëndrimit politik, përkatësisë kombëtare apo interpretimit të ndryshëm të historisë. Për gjenocidin nuk ka ‘anë tjetër të tregimit’ kur faktet janë përcaktuar me vendime të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e partisë.
PLD kërkon që Qeveria të distancohet publikisht nga veprimet e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale dhe drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive dhe të përcaktojë përgjegjësinë politike.
“Maqedonia nuk mund të thirret para Brukselit në vlerat evropiane, ndërsa në vend Qeveria hesht kur funksionarët e saj marrin pjesë në glorifikimin e një personi të dënuar për gjenocid”, thekson PLD.
Partia kërkon që institucionet kompetente të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë eventuale penale. Sipas PLD-së, neni 407-a i Kodit Penal parashikon dënime për mohimin, minimizimin, miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës përmes një sistemi informativ.
PLD u bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike që të shqyrtojnë të gjitha publikimet, deklaratat dhe veprimet që lidhen me rastin dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të ndërmarrin masat përkatëse.
“Funksioni shtetëror nuk guxon të jetë mburojë nga ligji”, porosit PLD.
Partia kërkon gjithashtu miratimin e një kuadri ligjor që do të ndalonte glorifikimin dhe promovimin publik të personave të dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
PLD kërkon që ndalimi të përfshijë edhe promovimin e ideologjive fashiste, naziste dhe ideologjive të tjera totalitare e të dhunshme që nxisin urrejtje dhe jotolerancë.
Në fund, PLD thekson nevojën që në shkolla gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të mësohen mbi bazën e fakteve historike dhe gjyqësore, pa relativizim dhe mohim.
“Një shtet evropian nuk ndërtohet me parulla evropiane, por me vlera evropiane. Respektimi i viktimave dhe dënimi i gjenocidit janë vijë e kuqe”, përfundon PLD.
