Iseni i përgjigjet BDI-së: “Kabllat i janë ngatërruar ‘Shtabit Sot’”
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj akuzave dhe pretendimeve të publikuara nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe portali “Shtabi Sot”, duke i cilësuar ato si përpjekje për dezinformim dhe manipulim të opinionit publik.
Në reagimin e tij, zëvendësministri thekson se konkursi për punësimin e policëve dhe konkursi për nxënësit në shkollat e mesme janë dy procese krejtësisht të ndryshme dhe, sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin.
“Konkursi për policë dhe konkursi për nxënës në shkollat e mesme, përveç se janë dy konkurse të ndryshme, nuk kanë asgjë të përbashkët”, shprehet ai.
Ai e akuzon “Shtabin Sot” se përmes publikimeve të tij ka deformuar realitetin dhe ka tentuar të krijojë konfuzion te opinioni publik.
“Kur kuzhina e ‘Shtabit Sot’ gatuan dezinformim dhe deformimin e realitetit publik, opinioni edhe njëherë bindet se jo çdo tentim për baltosje arrin qëllimin”, thuhet në reagim.
Zëvendësministri thotë se një natë më parë ka dhënë sqarime dhe ka prezantuar fakte lidhur me çështjen, duke theksuar se këto sqarime nuk janë bërë për “Shtabin Sot”, por për qytetarët.
“Mbrëmë sqarova me fakte dhe argumente çdo paqartësi, jo për ‘Shtabin Sot’, por për opinionin publik, ndaj të cilit kemi përgjegjësi t’i shërbejmë në çdo situatë”, deklaron ai.
Në fund, zëvendësministri përdor një gjuhë ironike ndaj portalit, duke thënë se nëse ngatërrimi i dy konkurseve është bërë pa dashje, atëherë autorët kanë nevojë të “rikthehen në bankat e shkollës së mesme”, ndërsa nëse është bërë me qëllim, e cilëson si “tentativë amatoreske për manipulim”.
Reagimin e tij ai e përmbyll me mesazhin: “Paçi fundjavë të mbarë! Ditë dhe punë të mira na presin.”
