Prokuroria e lartë kundër prokurorisë së krimeve, rikthehet “Mazuti”
Prokuroria e Lartë Publike e ka rikthyer në procedim hetimin rastin “Mazuti në TEC Negotinë”, pasi ka shfuqizuar vendimin e prokurores Katerina Kolareviq për ndërprerjen e hetimit. Kjo do të thotë se lënda që peshon 167 milionë euro, është kthyer në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila duhet ta vazhdojë procedurën. Për lëndën në Prokurorinë e Lartë, ka vepruar prokurori i lartë Jovan Cvetanovski, i cili tashmë i ka dhënë udhëzime prokurores Kolareviq.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Duke konstatuar, para së gjithash, mangësi në ekspertizat e përgatitura, mbi të cilat prokurori publik nga PTHP-ja për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e kishte bazuar vendimin për ndërprerjen e hetimit, Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit ka kërkuar që procedura të vazhdojë me qëllim të përcaktimit të të gjitha veprimeve individuale të të dyshuarve”.
Në veçanti, duhet të përcaktohet nëse dhe kush ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ose veprime ndihmëse, me të cilat personi juridik EMV, përmes keqpërdorimit të mjeteve të dedikuara të ndara nga buxheti i shtetit dhe nën petkun e përdorimit të bazës ligjore të privilegjuar nga neni 23 i Ligjit për Prokurime Publike, ka mundësuar përfitim pasuror në përmasa të mëdha për njërin prej të dyshuarve dhe personin e tij juridik.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit e ka ngarkuar PTHP-në për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të mbledhë dhe analizojë më shumë të dhëna nga disa institucione të tjera, si dhe të urdhërojë ekspertiza të reja, me qëllim të shqyrtimit të saktë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësisë eventuale penale”.
Një nga argumentet kryesore të prokurores Katerina Kolareviq për ndërprerjen e hetimit ishte se EMV-ja nuk kishte raportuar dëm. Në fokus të hetimit ishte kompania RKM, e cila e kishte fituar tenderin për furnizimin me mazut, si dhe pronarët e saj Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sulkoski.
Në mesin e 13 të dyshuarve ishtin edhe pronari i Pucko Petrol, Asmir Jahoski, drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili prej kohësh ndodhet në arrati për shkak të rastit tjetër ku ndiqet penalisht, të njohur si “Aditivët”. Padi penale ishte dorëzuar edhe kundër ish drejtorit tjetër të EMV-së, Ardijan Muça.
Samir Mustafa /SHENJA/
