Komuna e Fushë Kosovës largon nga puna rreth 100 punëtorë
Lista e pagave e publikuar në objektin e Komunës së Fushë Kosovës tregon se rreth 100 persona që deri tash ishin të angazhuar përmes projektit të Caritasit nuk figurojnë më në listën e punëtorëve. Komuna ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës, ndërsa kontrata me Caritasin vazhdon, shkruan Kujdestari.info
Bëhet fjalë për një kontratë që Komuna e Fushë Kosovës e ka vazhduar ndër vite me Caritas Kosova, përmes së cilës janë ofruar shërbime shëndetësore, sociale, arsimore, ambientale dhe administrative. Vetëm kontrata e fundit, e shpallur në vitin 2024, kap vlerën rreth 1.9 milionë euro, ndërsa në dokumentacion parashihej angazhimi i 120 personave në profile të ndryshme.
Por tash, sipas informacioneve që ka siguruar Kujdestari.info, me vazhdimin e kontratës janë larguar mbi 100 punëtorë, disa prej të cilëve dyshohet se kanë qenë të angazhuar për rreth 12 vjet, pra që nga periudha kur Komuna filloi bashkëpunimin me Caritasin.
Kujdetsari.info ka dërguar pyetje ne komune e Fushe Kosovës për të mësuar lidhur me largimin nga puna te rreth 100 punëtoreve, por deri ne publikimin e këtij artikulli nuk ka marr përgjigje.

Sipas informacioneve jo zyrtare, pas ardhjes së kryetarit Valon Prebeza, persona të rinj janë futur në programin e Caritasit, ndërsa këta nuk janë larguar në valën e fundit të ndërprerjeve.