Policia financiare ngre kallëzim penal për fshehje të tatimit, buxheti dëmtohet për 4.5 milionë denarë
Drejtoria e Policisë financiare ka ngrit kallëzim penal në Prokurorinë themelore publike në Strugë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për dyshimin se kanë kryer veprën penale “Fshehje të tatimit” sipas nenit 279 të Kodit penal.
Siç njofton Policia financiare, i akuzuari i parë B.Z., në cilësinë e pronarit dhe drejtuesit të personit juridik të denoncuar nuk i ka njohur si të ardhura detyrimet e vjetruara dhe të papaguara në shumën totale prej 30.946.170 denarë, të paraqitura në bilancin bruto për vitin 2025. Sipas pretendimeve në kallëzim, këto detyrime ishin të vjetruara në përputhje me Ligjin për marrëdhënie me detyrimet dhe nuk është iniciuar asnjë procedurë gjyqësore për mbledhjen e tyre.
Pavarësisht detyrimit ligjor, i akuzuari nuk e ka zbuluar detyrimin përkatës tatimor në bilancin tatimor për vitin 2025, prandaj nuk e ka llogaritur, raportuar dhe paguar tatimin mbi të ardhurat në shumën prej 3.094.617 denarë.
Njëherësh, Policia financiare ka përcaktuar se kreditë e dhëna individëve në shumën prej 14.254.665 denarë, të cilat nuk janë shlyer deri në fund të vitit, nuk janë regjistruar si shpenzime të panjohura për qëllime tatimore. Për këto fonde, sipas kallëzimit, nuk është llogaritur, raportuar dhe paguar tatimi mbi të ardhurat në shumën prej 1.425.467 denarë.
“Me veprimet e sipërpërmendura personi fizik dhe juridik nuk i ka llogaritur, raportuar dhe paguar obligimet tatimore të përcaktuara me ligj, duke e dëmtuar Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë të përgjithshme prej 4.520.084 denarë”, informon Drejtoria e Policisë financiare. përcjell Zhurnal.mk .
