Kur pritet të vendoset gurthemeli i rrethrotullimit në hyrje të Sarajit? Flet Kryetari i qytetit të Shkupit Eksluzive për Ora24.tv
Procedura për tenderimin e projektit për rrethrrotullimin në Saraj pritet të nisë brenda dy javëve të ardhshme. Kështu deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në një deklaratë ekskluzive për Ora24.tv.
Sipas tij, sektori përkatës është duke përgatitur dokumentacionin për nisjen e procedurës së tenderimit.
“Ne do të nisim procedurën e tenderit brenda dy javëve të ardhshme”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai sqaroi se, në përputhje me procedurat ligjore, tenderi mund të zgjasë nga 45 deri në 60 ditë. Nëse procedura përfundon pa pengesa dhe gjithçka shkon sipas planit, kryetari i Shkupit pret që gurthemeli i projektit të vendoset para fundit të këtij viti kalendarik.
Gjorgjievski e cilësoi rrethrrotullimin si një nga projektet e rëndësishme infrastrukturore për qytetin e Shkupit dhe tha se ai do të jetë edhe një nga projektet që do të shënojë mandatin e tij.
“Ky projekt u premtua gjithashtu nga Shilegov dhe Arsovska. Unë do ta realizoj”, tha Gjorgjievski.
Rrethrrotullimi në hyrje të Sarajit është premtuar prej më shumë se një dekade dhe prej vitesh është kërkuar nga banorët e kësaj zone, veçanërisht për shkak të sigurisë në komunikacion dhe nevojës për një lidhje më funksionale me vendbanimet përreth.