“Rreze drite në emblemën time”: Fëmijët hyjnë në stacionet policore në Veri
Fëmijët në veri të vendit patën mundësinë të shohin nga afër punën e Policisë së Kosovës, në një aktivitet që synoi afrimin e policisë me komunitetin dhe ndërtimin e besimit që në moshë të hershme.
Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, më 4 shtator u realizua projekti “Rreze drite në emblemën time”, nën moton “Një rrugëtim i përbashkët, një mision i përhershëm”.
Pjesë e aktivitetit ishin nxënës të shkollave fillore, të cilët vizituan stacionet policore në veri dhe u njohën nga afër me hapësirat, punën, përgjegjësitë dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë, pjesëmarrja e fëmijëve i dha aktivitetit një frymë të veçantë, duke përcjellë mesazhin se bashkëpunimi dhe besimi mes Policisë dhe qytetarëve ndërtohen që në moshë të hershme.
Policia në Veri ka bërë të ditur se aktivitete të tilla synojnë afrimin e saj me qytetarët, veçanërisht me fëmijët dhe të rinjtë, përmes krijimit të urave të reja të komunikimit dhe bashkëpunimit.
Në kuadër të aktiviteteve të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, janë shpërndarë gjithashtu kartela identifikuese për anëtarët e Këshillave Lokale për Siguri Publike (KLSP).
Kartelat janë cilësuar si dëshmi e bashkëpunimit dhe partneritetit të vazhdueshëm mes Policisë dhe komunitetit, me synim krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë.
“Policia dhe qytetarët – së bashku për një komunitet më të sigurt, me besim, respekt dhe bashkëpunim”, është mesazhi i këtij aktiviteti.