Jep dorëheqje drejtori i Shëndetësisë në Prizren: Shëndetësia e Prizrenit meriton punë e integritet, jo lojëra politike
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit ka dhënë dorëheqje nga pozita, pas gjashtë muajsh në këtë detyrë.
Sylejman Baxhaku ka bërë të ditur se vendimin për dorëheqje e ka marrë për shkak të ndërhyrjeve politike në proceset vendimmarrëse dhe anashkalimit të strukturave drejtuese.
“Përmes këtij njoftimi, dëshiroj t’ju bëj me dije se kam paraqitur dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit”, ka njoftuar ai.
Duke folur për periudhën gjashtëmujore në këtë pozitë, ai ka thënë se është përpjekur të ndërtojë një sistem shëndetësor funksional dhe në shërbim të qytetarëve.
“Gjatë kësaj periudhe 6-mujore, jam përpjekur me përkushtim të ndërtoj një sistem shëndetësor funksional dhe në shërbim të secilit prej jush”, ka thënë ai.
Sipas tij, menaxhimi efektiv kërkon autonomi zyrtare dhe bashkëpunim institucional, ndërsa ndërhyrjet politike po e dëmtojnë vendimmarrjen.
“Kur vendimmarrja dëmtohet nga ndërhyrjet e jashtme politike, si nga niveli komunal, ashtu edhe nga udhëheqja e partisë, përgjegjësia profesionale e drejtorit zbehet”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se në këto rrethana, ku struktura drejtuese anashkalohet në mënyrë të përsëritur, nuk e sheh të mundur vazhdimin e detyrës.
“Shëndetësia e Prizrenit meriton punë e integritet, jo lojëra politike”, ka përfunduar ai.