Ngërçi i ri në konstituimin e Kuvendit, përfshihet në “debat” edhe Dejona Mihali e VV
Dejona Mihali nga Lëvizja Vetëvendosje është përfshirë në debatin për ngërçin e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së institucioneve të reja.
Mihali ka ngritur pikëpyetje ndaj PDK-së dhe LDK-së lidhur me votat për nënkryetarët e Kuvendit, duke i lidhur ato me qëndrimet e këtyre partive për zgjedhjen e presidentit dhe funksionimin e institucioneve.
Ajo nëpërmet Facebook, ka pyetur pse 62 deputetë duhet të votojnë kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, kur, sipas saj, PDK-ja ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në asnjë formë në procesin e zgjedhjes së presidentit – as në bisedime, takime apo edhe me prani në sallë.
Mihali të njëjtën kritikë ia ka drejtuar edhe LDK-së, duke ngritur pyetjen pse shumica duhet të sigurojë votat për kandidatin e saj për nënkryetar, kur ai është pozicionuar kundër një marrëveshjeje me Vetëvendosjen për zgjidhjen e ngërçit institucional.
Sipas saj, nënkryetarët e Kuvendit nuk mund të kërkohen si privilegj nga votat e shumicës, ndërsa përgjegjësia për funksionimin e institucioneve refuzohet.
“Nuk mund të kërkosh votat e shumicës për t’u ulur në Kryesinë e Kuvendit dhe, sapo ta marrësh pozitën, ta përdorësh mungesën nga salla për ta pamundësuar zgjedhjen e Presidentit dhe për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje”, ka shkruar Mihali.
Ajo ka kërkuar që, nëse PDK-ja dhe LDK-ja kërkojnë marrëveshje dhe vota për nënkryetarët e Kuvendit, atëherë të pranojnë një marrëveshje për funksionimin e institucioneve në tërësi.
“Sepse nuk mund të ketë marrëveshje vetëm për postet e tyre dhe bllokadë për institucionet e Republikës, siç është Presidenti dhe zgjedhje të përsëritura për qytetarët”, ka përfunduar Mihali.