58 të prekur nga Ethet e Nilit, rehabilitimi zgjat me muaj
Rehabilitimi mjekësor i personave të prekur nga Ethet e Nilit Perëndimor mund të zgjas me muaj. Siç sqaroi drejtori i Klinikës Infektive Fadil Cana, faza akute e infeksionit përfundon me përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe lëshimit në shtëpi, por rimëkëmbja mund të zgjas me muaj. Për këtë qëllim edhe ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski bëri me dije se që para dy javësh i kanë informuar Klinikën e Neurologjisë dhe institucionet kompetente neurologjike dhe Klinikës për Terapi Fizike që të jenë të përgatitur për të ju dalë në ndihmë pacientëve të cilëve do ju duhet rehabilitim i mëtejshëm.
Ndërkohë, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik që i përket periudhës nga 2 deri më 8 shtator, janë regjistruar 58 raste me virusin e Nilit. Përshkak se së fundmi është regjistruar një rast në Shën Nikollë, ministri i Shëndetësisë u pyet se a po zgjerohet epidemia, Klekovski e mendon të kundërtën.
Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë
“Vlerësoj se epidemia qetësohet, sepse dy javët e fundit kemi nga dy raste të reja. Pra, këtë javë pas publikimit të raportit javor të hënën, kemi dy raste të dyshuara, jo të konfirmuara. Se epidemia po qetësohet flet edhe fakti se kemi vetëm 6 të hospitalizuar në Klinikën e Infektologjisë”.
Kurse drejtori Cana sqaroi se dy persona janë në trajtim intensive nga gjithësej 6 pacientët e hospitalizuar.
Fadil Cana, drejtor i Infektologjisë
”Në Klinikën për Sëmundje Infektive ka të hospitalizuar 6 pacientë me forma invasive të virusit të Nilit Perëndimor, nga të cilët 2 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe gjenden në repartin për trajtimin intensiv. Ndërsa 4 pacientë janë në repartin për neuroinfeksione, nga të cilët dy llogariten si raste të dyshimta te të cilët ende në mënyrë laboratorike nuk është përdëftuar, por pasqyra klinike e tyre, është në drejtim të infeksionit me virusin e Nilit”.
Deri tani në vendin tonë, ky virus ka marrë jetën e 8 personave, të gjithë mbi moshën 60 vjeç dhe me sëmundje tjera shoqëruese.
Emine Ismaili /SHENJA/