BDI për arrestimin e ndihmës drejtorit të Doganave: Të hetohet zinxhiri deri te Dauti, Kasami dhe Mexhiti
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerësojnë se rasti i arrestimit në flagrancë të një ndihmësdrejtori të Drejtorisë së Doganave, i kapur me 17.500 euro të shënuara, nuk duhet të përfundojë vetëm me arrestimin e një funksionari.
Sipas BDI-së, Prokuroria ka konfirmuar se paratë dyshohet se janë kërkuar me qëllim të përdorimit të ndikimit në dy procedura pranë Drejtorisë së Doganave.
“Pikërisht këtu fillon pyetja kryesore: ndikim në emër të kujt dhe për interes të kujt?”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga partia kërkojnë që hetimi të zgjerohet dhe të shqyrtojë edhe rrethanat e emërimit të funksionarit, hierarkinë institucionale dhe çdo lidhje eventuale me faktorë politikë.
“Një ndihmësdrejtor nuk vepron vetë në vakum. Ai është emëruar politikisht, ka një hierarki institucionale dhe ka njerëz që e kanë propozuar, mbështetur dhe vendosur në atë pozitë. Prandaj, hetimi duhet të shkojë përtej personit që i kishte 17.500 eurot në dorë”, deklarojnë nga BDI.
BDI kërkon që Prokuroria të hetojë edhe rolin dhe çdo lidhje eventuale të Mustafa Dautit, Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit me emërimin e funksionarit, procedurat për të cilat dyshohet se është kërkuar ryshfeti, si dhe interesat eventuale që mund të qëndrojnë pas tyre.
“Nëse këto para nuk kanë qenë vetëm për të, atëherë qytetarët duhet ta dinë: për kë i merrte? Kujt duhej t’ia dorëzonte? Kush qëndronte mbi të dhe kush duhej të përfitonte nga ndërhyrja në këto procedura?”, theksojnë nga BDI.
Sipas partisë, rasti nuk mund të mbyllet vetëm me një distancim politik, por duhet të zbardhet i gjithë zinxhiri eventual i përgjegjësisë.
“17.500 eurot janë vetëm maja e rastit. Tani duhet të zbulohet zinxhiri. BDI kërkon nga Prokuroria që hetimi të mos ndalet te dora që mori paratë, por të arrijë deri te çdo person politik apo institucional për të cilin ekzistojnë prova se ka urdhëruar, ndërmjetësuar ose përfituar”, thuhet në reagim.
“17.500 euro u kapën në dorë. Tani duhet të zbulohet për kë ishin”, përfundon BDI.