18 shoferë privohen nga liria në 24 orët e fundit, 17 prej tyre drejtonin pa patentë shoferi
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në lokacione të ndryshme në vend, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria 18 shoferë, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal.
Sipas MPB-së, nga 18 personat e privuar nga liria, 17 kanë drejtuar automjete pa e dhënë provimin e vozitjes.
Bëhet fjalë për M.R. (19), B.F. (24), Xh.S. (24), F.S. (33), A.L. (25), S.B. (25) dhe G.Gj. (34), të gjithë nga Shkupi; Sh.O. (31) nga fshati Haraçinë, rrethina e Shkupit; A.R. (25) nga fshati Batincë, rrethina e Shkupit; S.A. (33) nga fshati Studeniçan, rrethina e Shkupit; një 17-vjeçar nga fshati Stajkovc, rrethina e Shkupit; S.A. (19) nga Tetova; R.B. (32) nga Kumanova; A.B. (24) nga Kërçova; P.S. (38) nga Manastiri; një 15-vjeçar nga Probishtipi, si dhe P.Gj. (19) nga Velesi, i cili dyshohet se ka shkaktuar një aksident trafiku.
Ndërkohë, nga liria është privuar edhe O.V. (27) nga Makedonska Kamenica, pasi është konstatuar se ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit dhe zbardhjes së plotë të rasteve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.
“U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut, të mos drejtojnë automjet pa e dhënë provimin e vozitjes, ose nëse u është shqiptuar masa e ndalimit për drejtimin e automjetit apo nëse janë nën ndikimin e alkoolit. Të gjithë bashkërisht duhet të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik”, thuhet në apelin e MPB-së.