Bekim Qoku pas vendimit në Hagë numëron të bëmat e Serbisë: Vetëm drejtësi nuk i thuhet kësaj
Deputeti i VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qoku, përmes një reagimi, ka renditur të dhëna për viktimat dhe pasojat e luftës në Kosovë, duke theksuar se pas çdo shifre qëndron një histori njerëzore.
“12.300 viktima të luftës.
1.200 fëmijë të vrarë.
94 fëmijë të vdekur si pasojë e luftës.
100 fëmijë ende të zhdukur.
Rreth 20.000 gra dhe vajza viktima të dhunës seksuale.
4.500 persona rezultonin të zhdukur pas luftës.
Mbi 1.500 prej tyre mbeten ende të pagjetur.
120.000 shtëpi të djegura dhe rrënuara.
900.000 shqiptarë u dëbuan jashtë Kosovës.
500.000–600.000 të tjerë u zhvendosën brenda Kosovës.
Mbi 80% e popullsisë së Kosovës u detyrua të largohej nga shtëpitë e veta”, shkruan Qoku.
Ai më pas shprehet se këto shifra përfaqësojnë jetë dhe histori njerëzore.
“Pas çdo numri është një jetë, një vuajtje, një mundim, një histori”, thekson deputeti i VLEN-it.
Në reagimin e tij, Qoku e kundërshton vendimin e Gjykatës, duke e paraqitur atë si një padrejtësi ndaj luftëtarëve të UÇK-së.
“Megjithatë u dënuan luftëtarët e lirisë që vepruan vetëm në trojet e veta, luftuan për lirinë e popullit të vet.
Vetëm drejtësi nuk i thuhet kësaj në Hagë”, përfundon Qoku.
Gjykata Speciale kishte akuzuar Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte, të cilat sipas aktakuzës lidhen me periudhën mars 1998–shtator 1999.