Reagon Sela: Drejtësia dështoi, fjala e fundit ende nuk është thënë
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka reaguar pas vendimit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si dështim të drejtësisë dhe duke bërë thirrje që mllefi të shndërrohet në gjykim, qetësi dhe durim. Në reagimin e tij, Sela thekson se luftëtarët e UÇK-së mbrojtën jetën dhe lirinë, ndërsa sakrifica e tyre, sipas tij, ishte themeli mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës.
“Ata mbrojtën jetën, i dhuruan asaj vlerën më sublime që quhet liri. Ndërtuan shtetin për të mbrojtur lirinë e të drejtës për jetë”, thuhet në reagimin e Selës, të cilin MIA e transmeton në formë integrale. Sela thekson se sakrifica e tyre ishte “për jetën, lirinë dhe shtetin e lirë të Kosovës”, ndërsa vendimin e sotëm e vendos në kontekstin e asaj që ai e përshkruan si padrejtësi historike ndaj shqiptarëve.
“Sot, kur drejtësia dështoi, si në shumë raste nga e kaluara jonë e hidhur si popull, me pafuqinë e një populli të vogël në numër e me madhështinë e pashoqe në guxim, dinjitet, njerëzi e mbijetesë, mllefin, me të drejtë, ta shndërrojmë në gjykim!”, shkruan Sela.
Ai bën thirrje për qetësi dhe durim, duke theksuar se procesi, sipas tij, nuk ka përfunduar. “Sakrifica e tyre ishte jeta, liria, Kosova shtet sovran e i pavarur. E njëjtë është edhe sot. Respektojeni atë, qetë, me durim, sepse fjala e fundit akoma s’është thënë!”, thekson Sela.
Reagimin e tij, kreu i Lidhjes Shqiptare e përmbyll me mesazhin: “Liria ka emër!”