Waitz: Bukuritë natyrore të Maqedonisë së Veriut janë edhe mundësi e madhe ekonomike
Bukuritë natyrore dhe parqet kombëtare të Maqedonisë së Veriut mund të shndërrohen në një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turizmin, vlerësoi eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz.
Duke folur në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE–Maqedonia e Veriut, Waitz u ndal edhe te pasojat gjithnjë e më të dukshme të ndryshimeve klimatike, duke theksuar se valët e të nxehtit, thatësirat dhe zjarret po bëhen më të shpeshta edhe në pjesë të Evropës ku më parë nuk ishin të zakonshme.
Sipas tij, krahas reduktimit të emetimeve, shtetet duhet të përgatiten edhe për ndryshimet klimatike që tashmë po ndodhin.
Temperaturat e larta, tha Waitz, ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njerëzve, bujqësinë, transportin dhe infrastrukturën, duke e bërë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike një nga sfidat kryesore për shoqëritë evropiane.
Por, në këtë kontekst, ai veçoi edhe një mundësi për Maqedoninë e Veriut.
“Natyra dhe parqet kombëtare të Maqedonisë së Veriut janë një potencial i madh për zhvillimin e turizmit natyror dhe ekonomive lokale”, ishte mesazhi i Waitzit, i cili theksoi se pasuritë natyrore mund të shërbejnë si bazë për tërheqjen e turistëve dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.
Në mbledhje foli edhe deputetja Dragana Arsova, e cila prezantoi progresin në harmonizimin e legjislacionit të vendit me standardet evropiane në fushën e mjedisit.
Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2026 rrjeti për monitorimin e cilësisë së ajrit është zgjeruar me një stacion matës në Shtip, duke e çuar numrin e stacioneve automatike në 23.
Arsova foli gjithashtu për menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës dhe politikën klimatike. Sipas saj, është duke u përgatitur një Ligj i ri për Natyrën, ndërsa janë identifikuar 24 zona potenciale për rrjetin e ardhshëm “Natura 2000”, të cilat përfshijnë rreth 12 për qind të territorit të vendit.
Në fushën e politikës klimatike, ajo theksoi se Qeveria ka miratuar Propozim-ligjin për Veprimin Klimatik, i cili parashikon mekanizma për monitorimin dhe kontrollin e emetimeve, si dhe krijimin e bazës për arritjen e neutralitetit klimatik në afat të gjatë.
Deklaratat u bënë në kuadër të diskutimeve për mjedisin, klimën dhe përafrimin e Maqedonisë së Veriut me politikat dhe standardet e Bashkimit Evropian.