Ali Ahmeti: Bërvenica meriton më mirë, promovojmë Arkin Jahijin për kryetar komune
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se gjatë një tubimi në Çellopek është promovuar kandidatura e Arkin Jahijit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim.
Në mesazhin e tij, Ahmeti ka theksuar se Bërvenica meriton udhëheqje më të mirë dhe se qytetarët e saj meritojnë që drejtimi t’i besohet një njeriu vendas që i njeh nga afër hallet dhe nevojat e tyre.
“Kjo nuk është çështje akrobacionesh matematikore apo pazareve politike. Është çështje e vullnetit të lirë të bërvenicasve. Ata vetë do të vendosin se kujt do t’ia besojnë drejtimin e komunës së tyre dhe unë besoj se kësaj radhe fjala e tyre do të jetë e qartë dhe e fuqishme,” u shpreh Ahmeti.
Gjithashtu, kreu i BDI-së vlerësoi se Arkin Jahiji i njeh mirë fshatrat, terrenin dhe mbi të gjitha njerëzit e kësaj ane, duke shprehur besimin se mbështetja qytetare do t’i mundësojë atij që këtë përkushtim ta shndërrojë në punë konkrete.
Në përmbyllje të njoftimit, u bë thirrje për vendimmarrje më 18 tetor, datë në të cilën qytetarët do të vulosin zgjedhjen e tyre për kryetarin e ri të komunës.(INA)