BE ME PLAN TË RI PËR VENDET KANDIDATE: MAQEDONIA E VERIUT RREZIKON TË MBETET JASHTË “UDHËRRËFYESIT”
Bashkimi Evropian po përgatit një model të ri të zgjerimit, i cili do t’u mundësojë vendeve kandidate qasje graduale në pjesë të Tregut të Përbashkët edhe para anëtarësimit të plotë.
Sipas një draft-propozimi të Komisionit Evropian, të publikuar nga „Politico“, vendet kandidate mund të përfitojnë nga tregtia më e lehtësuar, programet kërkimore dhe bashkëpunimi në fusha të caktuara, nëse përmbushin kushtet dhe përafrohen me objektivat e BE-së në politikën e jashtme dhe strategjike.
Në dokument theksohet se Tregu i Përbashkët është prioriteti i parë për konvergjencën ekonomike, ndërsa integrimi gradual synon t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve dhe bizneseve edhe para anëtarësimit të plotë.
Megjithatë, përfitimet mund të pezullohen ose të tërhiqen nëse vendet kandidate nuk respektojnë parimet demokratike, nuk përafrohen me politikën e jashtme të BE-së ose bashkëpunojnë në mënyra që Brukseli i konsideron të ndjeshme në aspektin strategjik.
Plani përfshin edhe bashkëpunim më të thellë në sektorë si inteligjenca artificiale, bioteknologjia, teknologjitë kuantike dhe industria hapësinore.
MAQEDONIA E VERIUT PA “UDHËRRËFYES” TË VEÇANTË?
Sipas informacioneve të publikuara nga „Politico“, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të kenë udhërrëfyes të veçantë për përshpejtimin e procesit të integrimit në vitet e ardhshme.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Turqia përmenden si vende ku procesi i anëtarësimit vazhdon të zvarritet.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime se vendet që mbeten më gjatë jashtë procesit të përshpejtuar të integrimit mund të largohen politikisht dhe ekonomikisht nga BE-ja.
MICKOSKI: DUHET TË KONTROLLOJMË NËSE INFORMACIONET JANË TË SAKTA
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke komentuar raportimet se vendi mund të mos marrë një udhërrëfyes të veçantë, tha se fillimisht duhet të verifikohet nëse informacionet janë të sakta.
“Duhet ta pyesim BE-në nëse kjo është e saktë dhe, nëse është e saktë, pse është kështu, duke pasur parasysh se ne po realizojmë pjesën më të madhe të reformave që janë pjesë e agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes”, tha Mickoski.
Ai theksoi se qeveria është e gatshme për bisedime me Brukselin dhe për të kërkuar zgjidhje për procesin e integrimit evropian.
Mickoski pritet të diskutojë këtë çështje edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në rajon.
Sipas kryeministrit, nëse vendet kandidate vlerësohen mbi bazën e meritave, atëherë një qasje e tillë do të ishte e palogjikshme. Megjithatë, ai nënvizoi se deri tani nuk ka konfirmim se vendimi përfundimtar është marrë.
BE-ja thekson se anëtarësimi i plotë mbetet objektivi përfundimtar, por modeli i ri synon që vendet kandidate të përfitojnë nga integrimi ekonomik gradualisht, paralelisht me zbatimin e reformave. (INA)