ASH: Asnjë shqiptar mes 13 mësuesve më të mirë të shpërblyer nga Ministria e Arsimit
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar lidhur me përzgjedhjen e mësimdhënësve më të mirë për vitin shkollor 2025/2026, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë proces, përcjell Zhurnal.mk.
Në një komunikatë të publikuar në Ditën Botërore të Mësuesve, ASH thekson se nga 13 mësimdhënësit e shpallur më të mirët për këtë vit shkollor, asnjë prej tyre nuk është shqiptar.
Sipas ASH-së, në listë janë përfshirë edhe mësimdhënës nga Tetova dhe Gostivari, qytete me një numër të madh nxënësish dhe mësimdhënësish shqiptarë. Partia shpreh dyshimin se mungesa e shqiptarëve në listë nuk mund të konsiderohet thjesht si rastësi.
“Kur shqiptarët mungojnë vazhdimisht nga listat e të përzgjedhurve, të shpërblyerve dhe të avancuarve, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një rast të izoluar, por me një model të rrezikshëm të përjashtimit institucional”, thuhet në komunikatën e ASH-së.
Nga kjo parti kanë rikujtuar edhe rastin e pranimit të nxënësve në Shkollën e Mesme të Policisë, ku, sipas tyre, nga 310 nxënës të pranuar, vetëm nëntë kanë qenë shqiptarë.
ASH kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të bëjë publike kriteret e përzgjedhjes, pikët e kandidatëve, si dhe përbërjen e komisionit që ka vendosur për ndarjen e këtyre mirënjohjeve.
“Shqiptarët nuk kërkojnë dhurata dhe as privilegje. Kërkojnë vetëm një shtet që i sheh, i vlerëson dhe i trajton njësoj”, thuhet më tej në komunikatë.
Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Qeveri, duke i pyetur se deri kur do të heshtin, siç shprehet partia, përballë rasteve të përsëritura të mungesës së shqiptarëve në përzgjedhjet institucionale, përcjell Zhurnal.mk.