Elvis Naçi reagon për protestat në Shqipëri: “Ai është biri yt! Mos e dhuno!”
Hoxha i njohur shqiptar, Elvis Naçi, ka reaguar përmes një mesazhi prekës lidhur me protestat në Shqipëri dhe pamjet e dhunës ndaj të rinjve që kanë tronditur opinionin publik.
Në reagimin e tij, Naçi u bën thirrje forcave të rendit që të mos ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve, duke kujtuar se pas çdo të riu që del në rrugë qëndrojnë prindër që shqetësohen për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
“Ai është biri yt! Po, po, është biri yt, i cili mezi po mbledh lekët për t’u shkolluar në stomatologji. Mos e dhuno! Ato pamje na vranë të gjithëve”, shkruan Naçi, duke iu referuar pamjeve të një të riu që u përplas përtokë gjatë protestës.
Ai thekson se, pavarësisht pakënaqësive dhe tensioneve, shqiptarët nuk duhet ta kthejnë dhunën kundër njëri-tjetrit, ndërsa u bën thirrje edhe protestuesve që të ruajnë pronën private dhe të mos dëmtojnë bizneset e ndërtuara me mund e sakrifica.
“Unë nuk jam marrë kurrë me politikë, por më dhemb shpirti për djalin që u përplas përtokë, ndërkohë që po qëndronte paqësisht. Më dhemb shpirti për çdo biznes të ngritur me djersë, që shkatërrohet”, shprehet ai.
Në fund të mesazhit, Elvis Naçi lutet për qetësi, paqe dhe urtësi, duke kërkuar mbrojtjen e të rinjve dhe shërimin e personave të plagosur gjatë protestave.
“O Zot, ruaje vendin tonë! O Zot, ruaje rininë tonë! Shëroji të plagosurit! […] Sill paqe dhe urtësi mes nesh”, përfundon mesazhin e tij Naçi./Shprehja.com
Ja reagimi i tij në Facebook
