Studentët nuk tërhiqen: Ose provimi i Jurisprudencës 100% në shqip, ose protesta!
SHKUP – Përfaqësuesit e lëvizjes studentore kanë zhvilluar sot një takim në Ministrinë e Drejtësisë me ministrin Jeton Shasivari, ku është diskutuar për zgjidhjen ligjore lidhur me mbajtjen e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Pas takimit, përfaqësuesit e studentëve kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje ligjore që nuk garanton mbajtjen e provimit të Jurisprudencës 100% në gjuhën shqipe.
Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha se modeli i prezantuar në takimin e sotëm paraqet një arritje, por nuk është zgjidhje e plotë dhe nuk i përmbush pritshmëritë e tyre.
“Ne nuk do të ndalemi vetëm te provimi i Jurisprudencës. E pyetëm ministrin për provimet tjera dhe, fatkeqësisht, ende nuk ka asnjë hap në këtë drejtim. Na kanë shkuar tre vite për të arritur diçka jo të plotë. Ne merremi me probleme të cilat duhet të ishin zgjidhur nga ligjet dhe Kushtetuta jonë. Shpresoj që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për tema të tjera”, deklaroi Ademi.
Ai theksoi se, pavarësisht se modeli i prezantuar sot përbën një hap përpara, studentët nuk janë të kënaqur me zgjidhjen e propozuar, pasi kërkojnë garanci të plota për përdorimin e gjuhës shqipe.
Ademi paralajmëroi se lëvizja studentore do të vazhdojë me protesta nëse miratohet një ligj që nuk parasheh mundësinë e dhënies 100% në gjuhën shqipe të provimeve profesionale.
Studentët kërkojnë që çështja të zgjidhet në mënyrë të plotë dhe ligjore, duke mos u kufizuar vetëm te provimi i Jurisprudencës, por duke përfshirë edhe provimet e tjera profesionale./Shprehja.com