Nënshkruajnë 735 pedagogë dhe akademikë: Kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe ndalimin e dhunës ndaj studentëve
Tiranë – 735 pedagogë, akademikë dhe figura të jetës publike në Shqipëri kanë nënshkruar një deklaratë me pesë pika, përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, formimin e një qeverie kujdestare dhe ndalimin e dhunës policore ndaj studentëve protestues.
Deklarata, e iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, vjen në një kohë kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Mes 735 nënshkruesve përmenden emra të njohur të botës akademike dhe publike, përfshirë Stefan Çapaliku, Ardian Ndreca, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Voltana Ademi, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi dhe Arbër Rendi.
Në deklaratë, nënshkruesit shprehin shqetësimin e tyre për atë që e cilësojnë si dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave dhe lirive themelore. Ata theksojnë se komuniteti akademik nuk mund të qëndrojë indiferent përballë zhvillimeve të fundit.
Pesë kërkesat e akademikëve
Pika e parë e deklaratës i drejtohet kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkohet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë paqëtimit të vendit. Gjithashtu, kërkohet krijimi i një qeverie kujdestare për të garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar.
Së dyti, Policisë së Shtetit dhe trupave të rendit u kërkohet të ndalin menjëherë veprimet e dhunshme ndaj studentëve, ndërsa efektivëve u bëhet thirrje të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm.
Pika e tretë u drejtohet përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave u kërkohet të reagojnë publikisht për të ndihmuar në ndalimin e shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore.
Në pikën e katërt, protestuesve u bëhet thirrje të ruajnë bizneset dhe pronën publike e private, duke shmangur veprimet që mund të përdoren si justifikim për ushtrimin e mëtejshëm të dhunës ose delegjitimimin e protestës.
Ndërsa në pikën e pestë, qytetarëve të Tiranës u kërkohet të solidarizohen me të rinjtë dhe t’i mbështesin ata përballë asaj që nënshkruesit e përshkruajnë si dhunë shtetërore.
Deklarata e 735 pedagogëve dhe akademikëve përbën një tjetër reagim publik në mbështetje të studentëve, në një moment kur situata politike dhe protestat në kryeqytetin shqiptar vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes./Shprehja.com