Milot Rashica: Jam i trishtuar që nuk arritëm të fitonim derbin
Beshiktashi është mposhtur para adhuruesve të vet në derbin e Stambollit nga Gallatasarai me rezultat minimal 0-1. Ka qenë një ndeshje shumë e mirë nga “bardhezinjtë”, por që në fund nuk mjaftoi për të marrë pikë nga përballje me kampionin në fuqi të Turqisë.
Në këtë sfidë titullar ishin edhe dy futbollistët shqiptarë Milot Rashica dhe Ernest Muci që zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Ylli i Kosovës, Milot Rashica ka thënë pas ndeshjes se është mëkat që e humbën këtë duel pasi e kanë dominuar Galatasarajn.
“Jam vërtet i trishtuar. Në përgjithësi, mund të them se luajtëm ndeshjen më të mirë të sezonit. Qarkulluam topin, krijuam rastet tona, por nuk arritëm të shënonim gol. Na mungoi finalizimi, teksa pësuam një gol të shpifur. Fatkeqësisht shënuam autogol. Jam i trishtuar që nuk arritëm të fitonim derbin”, u shpreh 27-vjeçari nga Vushtrria.
Beshiktashi ndodhet në pozitën e katërt në tabelë me 46 pikë, sa ka edhe Trabzonspori i Enis Bardhit në pozitën e tretë.