Petar Bogojeskit i “dhemb” propozimi i Shasivarit: Për 10 vjet, i gjithë gjyqësori do të flasë shqip!
Nacionalisti Petar Bogojeski ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor, pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Në një status në gjuhën maqedonase, Bogojeski pretendon se brenda dhjetë vjetësh gjykatësit shqiptarë do të gjykojnë qytetarë maqedonas përmes përkthyesve, pasi, sipas tij, nuk do ta njohin gjuhën maqedonase.
“Për një kohë të shkurtër (10 vjet), do të kemi një gjykatës shqiptar etnik që do të gjykojë dy maqedonas etnikë me përkthyes, sepse nuk do ta dijë gjuhën maqedonase. Ose një prokuror…”, shkruan Bogojeski.
Ai e cilëson këtë skenar si të paqëndrueshëm dhe pretendon se përdorimi i gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor mund ta çojë Maqedoninë e Veriut drejt kantonizimit ose federalizimit.
Bogojeski shkon edhe më tej, duke paralajmëruar se, sipas tij, ndarja mbi baza etnike mund të përhapet edhe në arsim, shëndetësi dhe administratë.
Në reagimin e tij, ai kundërshton përdorimin e shqipes si gjuhë institucionale paralele dhe kërkon që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ta mësojnë gjuhën maqedonase.
“Shqiptarët duhet ta kuptojnë se në Maqedoni duhet ta mësojnë dhe ta dinë gjuhën maqedonase. Shqipja është e tyre, e padiskutueshme, por nuk mund të jetë gjuhë paralele sistemore”, shkruan ai.
Në fund, Bogojeski ironizon edhe mundësinë që institucionet të përdorin përkthyes për gjuhët e vendit, ndërsa statusin e përmbyll me shprehjen “Maqedoni e mjerë”.