Tërmet politik në Serbi! Vuçiçi pranon humbjen, studentët drejt 140 mandateve në Parlament!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar humbjen e forcës së tij politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura këtë të diel, më 25 tetor, duke deklaruar se lista e studentëve pritet të sigurojë shumicën në Parlamentin e ri.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç tha se, sipas rezultateve paraprake të bazuara në një mostër statistikore, lista studentore pritet të fitojë nga 135 deri në 140 mandate në Parlamentin me 250 vende.
“Është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, deklaroi Vuçiç, duke pranuar epërsinë e kundërshtarëve të tij.
Sipas shifrave të paraqitura nga presidenti serb, lista studentore ka siguruar rreth 2.2 milionë vota, ndërsa forca politike e Vuçiçit rreth 1.72 milionë vota. Kjo e fundit pritet të ketë rreth 105 deputetë në përbërjen e re parlamentare.
Vuçiç bëri të ditur gjithashtu se në Parlament pritet të përfaqësohen edhe pakicat kombëtare, duke përmendur tre mandate për përfaqësuesit e hungarezëve të Vojvodinës dhe një mandat për shqiptarët.
Megjithatë, ai theksoi se rezultatet nuk janë ende përfundimtare dhe se shifrat e publikuara bazohen në të dhëna paraprake.
Nëse konfirmohen këto projeksione, rezultati do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në skenën politike të Serbisë, me listën studentore që do të merrte një shumicë të konsiderueshme parlamentare./Shprehja