Boki-13 shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, edhe pse ishte i dënuar me 5 vjet
Gjykata e Apelit në Shkup ka doñeë një aktgjykim lirues për Bojan Jovanovski-Boki 13 në lëndën „Aleanca Ndërkombëtare“, me çka e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin ai ishte dënuar me pesë vjet burgim. Informacionin e ka bërë të ditur avokati i tij Sashko Dukovski, ndërsa të liruar janë edhe personat e tjerë që ishin të akuzuar në të njëjtin rast, përcjell INA.
“E pra, drejtësia është e ngadaltë por e arritshme! Gjykata e Apelit në Shkup sot solli aktgjykim lirues për Bojan Jovanovskin në lëndën ‘Aleanca Ndërkombëtare’. Me këtë ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore Penale prej 5 vitesh!!“, njoftoi Dukovski, duke shtuar se pas një aktakuze të keqe pason një aktgjykim lirues.
Vendimi paraqet një kthesë të re në lëndën e cila me vite u zhvillua ndaj Jovanovskit dhe disa të akuzuarve të tjerë për gjoja keqpërdorime financiare lidhur me organizatën joqeveritare „Aleanca Ndërkombëtare“, përmes së cilës dyshohej se ishin mashtruar afaristë për rreth një milion euro (afër 950,000 euro) kinse për projekte ndërtimi të qendrave për të moshuar, fonde këto që u përfshinë në qendër të hetimeve për pastrim parash dhe mashtrim. Në procedurën e mëparshme, Gjykata e Apelit tashmë e kishte vërtetuar aktgjykimin lirues për ish-deputeten e LSDM, Frosina Tashevska-Remenski, ndërsa aktgjykimet fillestare për një pjesë të të akuzuarve të tjerë ishin prishur dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Në tetor të vitit 2025, pas rigjykimit, Jovanovski u dënua me pesë vjet burg për mashtrim dhe pastrim parash, mirëpo sipas njoftimit të sotëm të avokatit të tij, ai vendim tashmë është ndryshuar në aktgjykim lirues. Ky skandal, i cili shpërtheu në kulmin e fuqisë së tij mediatike si pronar i televizionit tashmë të mbyllur 1TV, u ndërlidh gjerësisht në opinion me lidhjet dhe ndikimin e atëhershëm politik ndaj zyrtarëve të lartë të pushtetit të asaj periudhe (rreth viteve 2017–2019), duke shënuar një nga aferat më të bujshme të atij pushteti.(INA)