Shasivari: Vazhdojmë me zbatimin e reformave
Komisioni Evropian, në Raportin për vitin 2026, vlerëson progresin e Maqedonisë së Veriut në reformimin e sistemit të drejtësisë, duke evidentuar zbatimin e Strategjisë për Reformën në Drejtësi 2024-2028 dhe miratimin e një sërë ligjesh të rëndësishme.
Në raport veçohen ligjet e reja për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, ligjet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe Ligji i ri për Procedurën Kontestimore. Veçanërisht vlerësohet se Ligji për Këshillin Gjyqësor adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i ka cilësuar vlerësimet pozitive si inkurajim për vazhdimin e reformave, duke theksuar se sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjeve dhe krijimi i ndryshimeve konkrete në funksionimin e institucioneve.
“Qytetarët duhet të kenë besim te drejtësia jo sepse ne u themi se sistemi po reformohet, por sepse e shohin dhe e ndiejnë vetë ndryshimin”, thekson Shasivari.
Ai ka bërë të ditur se procesi i reformave do të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi, duke synuar një sistem drejtësie më efikas dhe në përputhje me standardet evropiane.