Gjashtë institucione nënshkruajnë memorandum për shkëmbim më efikas të të dhënave në luftën kundër krimit dhe korrupsionit
Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtoria e Inteligjencës Financiare dhe Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mundësimin e shkëmbimit më të sigurt dhe më efikas të të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Memorandumi u nënshkrua në kuadër të projektit „Krijimi i sistemit për evidencë, të dhëna dhe menaxhim të lëndëve të organeve të ndjekjes“ (LERMS), i financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti LERMS parasheh krijimin e një platforme të përbashkët, të automatizuar dhe të qëndrueshme, e cila do të ndërlidhë gjashtë institucionet dhe do të mundësojë shkëmbim të sigurt të të dhënave, raportim automatik statistikor dhe analitik, si dhe ndjekjen e lëndëve gjatë gjithë procesit penal.
Sistemi do të mundësojë përcjelljen e procedurave që nga veprimet parahetimore dhe kallëzimet penale, përmes procedurave prokuroriale dhe gjyqësore, deri te hetimet financiare dhe procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë. Në këtë mënyrë synohet të forcohen koordinimi dhe llogaridhënia e institucioneve.
Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski, në fjalimin e tij theksoi se informacioni i saktë, në kohë dhe cilësor është një nga mjetet më të fuqishme në luftën kundër kriminalitetit dhe në parandalimin e veprave penale.
Ai shtoi se të dhënat statistikore duhet të mundësojnë pasqyrë të detajuar të trendeve të kriminalitetit, në mënyrë që institucionet të reagojnë me kohë dhe me sukses.
„Krimi nuk njeh kufij, ndërsa strukturat kriminale veprojnë shpejt dhe shfrytëzojnë teknologjitë më të avancuara. Prandaj, edhe përgjigjja jonë nuk duhet të jetë e ngadaltë, e izoluar dhe e bllokuar në labirintet burokratike. Bota po ndryshon dhe bashkë me të duhet të ndryshojë edhe mënyra se si bashkëpunojnë organet e drejtësisë, policisë dhe institucionet shtetërore në përgjithësi“, deklaroi Saveski.
Sipas tij, shkëmbimi i koordinuar dhe i shpejtë i të dhënave do të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së informacioneve të pasakta dhe të paverifikuara, duke ndikuar pozitivisht edhe në besimin e qytetarëve ndaj punës së institucioneve dhe në zbatimin e standardeve evropiane.
Drejtori i Policisë Financiare, Slobodan Ivanovski, theksoi rëndësinë e veçantë të këtij projekti për institucionin që drejton, duke nënvizuar se digjitalizimi është i domosdoshëm për forcimin e kapaciteteve, veçanërisht në pjesën e ndjekjes së procedurave parahetimore.
Ai shpjegoi se deri më tani, pas dorëzimit të kallëzimit penal, institucioni nuk ka pasur informacione të mjaftueshme për rrjedhën e mëtejshme të procedurës, nëse prokuroria ka ngritur aktakuzë apo e ka hedhur poshtë kallëzimin dhe nëse rasti ka kaluar në procedurë gjyqësore.
Sipas Ivanovskit, ndërlidhja me institucionet e tjera dhe shkëmbimi i të dhënave do të shkurtojnë kohën e procedurave, do të rrisin efikasitetin dhe do të ulin kostot.
Ai theksoi se institucionet duhet të përgatiten për një epokë të re të digjitalizimit, në të cilën dokumentacioni në letër do të reduktohet në minimum.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Ivanovski shprehu shpresën se ndërlidhja e këtyre gjashtë institucioneve do të ndihmojë edhe në përshpejtimin e marrjes së vendimeve gjyqësore, një çështje kjo e evidentuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian.
„Nëse nuk kemi vendime gjyqësore të plotfuqishme, atëherë rezulton se ne punojmë kot, harxhojmë mundin dhe energjinë tonë. Synimi ynë është që çdo kallëzim penal i yni të përfundojë me një vendim gjyqësor të plotfuqishëm“, deklaroi Ivanovski.
Përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Roberta Corteze, vlerësoi se ky projekt është një shembull konkret i partneritetit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Ajo theksoi se sundimi i ligjit është një nga prioritetet themelore në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera kandidate në BE. Sipas saj, përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk matet vetëm përmes ligjeve dhe strategjive, por mbi të gjitha përmes zbatimit të tyre dhe rezultateve të qëndrueshme.
Corteze nënvizoi se kjo kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe rezultate të dëshmuara përmes të dhënave të besueshme, të qëndrueshme dhe të krahasueshme.
Ajo shtoi se secili prej institucioneve nënshkruese ka kompetencat dhe ekspertizën e veta, ndërsa sistemi LERMS do të sigurojë një qasje të integruar dhe sistematike, duke harmonizuar punën e tyre.
Vëmendje të veçantë, sipas saj, duhet t’i kushtohet hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale. Forcimi i kapaciteteve për gjurmimin, ngrirjen, sekuestrimin dhe administrimin e pasurisë së konfiskuar është në përputhje të plotë me prioritetet e BE-së në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme dhe mbetet i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit.
Në fund, Corteze theksoi se suksesi afatgjatë i sistemit LERMS do të varet nga përdorimi i rregullt i tij, investimi i vazhdueshëm në personelin që do ta menaxhojë dhe gatishmëria e institucioneve për t’i shfrytëzuar të dhënat në zbatimin e reformave dhe arritjen e rezultateve të matshme.
Burimi: MIA