Dy banka të njohura të huaja në konkurrencë për të blerë Alta Bankën në Maqedoninë e Veriut
Një bankë sllovene ose një bankë austriake që tashmë operojnë në Maqedoninë e Veriut përmenden si blerëse potenciale të Alta Banka SH.A. Manastir, mëson „Faktor“.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se pritet që banka të marrë një pronar të ri dhe të vazhdojë punën, me çka do të shmangej falimentimi.
Sipas tij, tashmë ka skaduar afati triditor për informimin e rregullatorit në Serbi, ndërsa është në rrjedhë afati dhjetëditor për marrjen e pëlqimit nga Banka Popullore për t’i tjetërsuar aksionet përmes ankandit. Pas kësaj vijon një procedurë pesëditore për licencimin e ofruesve potencialë.
Mickoski pret që ankandi të caktohet drejt fundit të nëntorit ose në fillim të dhjetorit, por për momentin nuk dihet se cila bankë do ta marrë Alta-n dhe as me çfarë çmimi do të shiten aksionet. Kryeministri theksoi gjithashtu se nuk ka asgjë kundër që Prokuroria të hapë lëndë dhe të hetijë rrethanat lidhur me ngjarjet në bankë.
Këto informacione janë në kundërshtim me pretendimet e mëparshme të një pjese të meedieve, të cilat njoftuan se Halkbank dhe Stopanska Banka janë më së afërmi blerjes së Alta Bankës.(INA)