700 bileta avioni për tri vjet – Zyra e Presidentes ndan mbi 273 mijë euro për udhëtime
Zyra e Presidentes së Kosovës ka përmbyllur procedurën e prokurimit për sigurimin e biletave të avionit, për të cilat gjatë tri viteve të ardhshme janë paraparë të shpenzohen mbi 273 mijë euro.
Kontrata, e cila mbulon një periudhë 36-mujore, është dhënë më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për një ditë më vonë.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), përmes kësaj kontrate synohet të sigurohen 700 bileta avioni për nevojat e institucionit të Presidentes, Justina Shiroka-Pula.
Fitues i tenderit është shpallur operatori ekonomik “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, ndërsa në garë kanë marrë pjesë gjithsej dy kompani.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 273,003 euro. Në specifikimet e prokurimit, Zyra e Presidentes ka paraparë 700 bileta, me një çmim referues prej 390 eurosh për njësi, që në total arrin në 273 mijë euro.

Përveç biletave, në tender është përfshirë edhe tarifa e shërbimit, e njohur si “service charge”, e paraparë në sasi prej 300 njësive.
Megjithatë, shuma prej 390 eurosh nuk nënkupton se çdo biletë do të blihet me këtë çmim. Në dokumentacion është sqaruar se bëhet fjalë për një vlerë orientuese, e përdorur për kalkulimin dhe vlerësimin e ofertave.
Kostoja përfundimtare e secilës biletë do të përcaktohet gjatë realizimit të kontratës, varësisht nga çmimet e tregut dhe rezervimet përmes sistemeve ndërkombëtare si AMADEUS, GALILEO, SABRE apo platformave të tjera të ngjashme.
Arsyetimin për këtë kontratë, Zyra e Presidentes e ka mbështetur në nevojat e viteve të kaluara dhe në planifikimin afatgjatë të udhëtimeve zyrtare. Sipas institucionit, për periudhën trevjeçare pritet të nevojiten rreth 700 bileta avioni.
Sa u përket destinacioneve, dokumentet parashohin që 60 për qind e udhëtimeve të realizohen në vende të Evropës, ndërsa 40 për qind në pjesë të tjera të botës.
Biletat do të jenë kryesisht të kategorisë ekonomike. Vetëm në raste të veçanta, kur nuk është e mundur të sigurohet një biletë e kësaj kategorie, parashihet mundësia e përjashtimit nga ky rregull.
Operatori duhet ta njoftojë institucionin për çdo ndryshim të çmimit, anulim të fluturimit, ndryshim të orarit apo rrethanë tjetër që mund të ndikojë në udhëtim.
Një tjetër kërkesë është që kompania të jetë në dispozicion edhe jashtë orarit të rregullt të punës, i cili është përcaktuar nga ora 08:00 deri në 16:00. Kjo vlen veçanërisht në rastet e anulimeve, mbingarkesës së rezervimeve nga kompanitë ajrore, grevave apo problemeve të tjera gjatë udhëtimeve.
Po ashtu, në momentin e blerjes së biletës, operatori duhet ta informojë Zyrën e Presidentes se deri kur mund të anulohet ajo pa shkaktuar kosto shtesë.