
A mund ta zëvendësojë BDI udhëheqësinë e LSDM-së – kush pa kë (nuk) mundet?
AA
Nikica Korubin
Për të kuptuar përmasën e krizës që ka shkaktuar (vetë)dobësimi i LSDM-së, me të cilin në mënyrë (in)direkte është mbështetur dhe vazhdon të mbahet edhe VMRO-DPMNE, që prej konstatimit të “shtetit të kapur” nga ana e Pribesë, respektivisht nga ana e BE-së, duhet të rikujtojmë periudhën para vitit 2016.
Në këtë sistem të konceptuar (qëllimisht) si partiak/partokratik, LSDM kishte (apo ka pasur) rolin e një bërthame të majtë-liberale dhe progresive, e cila duhet të tërheqë një spektër të gjerë – jo vetëm anëtarë dhe simpatizantë partie – por më e rëndësishmja: votues të paanshëm dhe të pavarur, përfshirë edhe përfaqësues të etnive të tjera përveç maqedonasve. Kjo, bashkë me mbështetjen e një rrjeti të tërë OJQ-sh (po ashtu të përzgjedhura), analistësh dhe ekspertësh.
Për dallim prej tyre, VMRO-DPMNE ka (ose ka pasur) rolin e një partie nacionale, që duhet të mishërojë organizatën historike të VMRO-së si referencë identitare thelbësisht maqedonase, dhe në përputhje me këtë, të rishikojë dhe definojë historinë sipas narrativës post-jugosllave të sotme. Rrjedhimisht, ajo pozicionohet si bërthama “patriotike”, ekskluzivisht për maqedonasit etnikë, ndërsa të gjitha etnitë e tjera kanë pasur rol partnerësh dytësorë, por kurrë jo mbështetës elitë të rendit të parë – që të mos cenohet “narativi i pastër” maqedonas.
Fakti që sot përfaqësuesit dhe mbështetësit më të spikatur të VMRO-DPMNE-së janë në të vërtetë elita “të majta-liberale” post-jugosllave, vetëm sa e konfirmon inxhinierinë e skenës partiake në vend. Në këtë kontekst, viktimë sekondare – pas margjinalizimit të të pavarurve dhe të paanshmëve – është në fakt “identiteti maqedonas” si përshkrim i qytetarit bashkëkohor të Maqedonisë, i cili ndër vite është “mbuluar dhe uzurpuar” nga një parti politike dhe, për pasojë, nga një narrativë e caktuar dhe me qëllim të posaçëm.
Dhe nëse deri në vitin 2016, qendra rreth së cilës gravitoi qëndrimi qytetar i emancipuar, politikisht ishte LSDM-ja – kush është ajo sot? Ose, kush mundet sot politikisht ta zëvendësojë LSDM-në, që de facto është (vetë)shuar? Përgjigjja do të jetë tronditëse për një opinion të ushqyer me propagandë, manipulime dhe veçanërisht me një narrativë të vazhdueshme antishqiptare – dhe ajo është: BDI.
Nëse LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë qenë të “projektuara” për të “mbajtur nën kontroll” votuesit maqedonas, a nuk është logjike që të njëjtën rol ta ketë (pasur) edhe BDI-ja për votuesit shqiptarë?
Me një ndryshim të madh – sjellja korruptive, nepotiste, partokratike dhe jodemokratike gjatë viteve, si në nivel partie ashtu edhe individualisht nga funksionarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, asnjëherë nuk e ka penguar opinionin mediatik, akademik dhe analitik që t’i perceptojë ato si serioze dhe të respektueshme, kur bëhet fjalë për çështje strategjike dhe politike shtetërore.
Ndryshe ndodh me BDI-në – ndaj saj gjithmonë janë vendosur kufizime të lejuara: mund të kujdeset për shqiptarët, por assesi për maqedonasit, dhe mbi të gjitha, nuk lejohet të ketë qëndrim për çështje strategjike shtetërore.
Kjo sjell në një dilemë thelbësore: A është BDI e kënaqur dhe komode në rolin e “mbrojtësit të shqiptarëve”, apo ka kapacitet të jetë “udhëheqëse” politike në narrativën evropiane dhe integrimin në BE, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut – përfshirë edhe maqedonasit? Pyetja është hipotetike dhe ndoshta do të trajtohet si humoristike, sepse sistemi i “shtetit të kapur” është i ndërtuar në atë mënyrë që secili të ketë rolin e vet – dhe ai të mos vihet asnjëherë në pikëpyetje.
Kështu, për shembull, gjithë shkeljet flagrante të shtetit të së drejtës, në kohët kur dominonin dhe kishin fjalën vendimtare VMRO-DPMNE apo LSDM, bëhen të parëndësishme (një kontradiktë në vetvete) sapo ata flasin për “mbrojtje të identitetit” apo për “çështje të mëdha shtetërore”; ndërkohë kur këtë e bën BDI, ata menjëherë bëhen të parëndësishëm, sepse janë “kriminelë” dhe “nacionalistë”?
Këto standarde të dyfishta nuk janë vetëm tregues të “shtetit të kapur”, por edhe të frikës së madhe nga ritmi me të cilin shqiptarët po organizohen politikisht dhe nga aftësia e tyre për të avancuar kulturalisht, përtej kritereve të vendosura nga ky sistem për ta mbajtur shoqërinë në një gjendje të qëllimshme stagnimi – si ajo e para 30 vjetëve: në aspektin mendor, civilizues, ekonomik, komunikues, arsimor, urbanistik e madje edhe fetar.
Në fakt, ai koncept partiak/partokratik – në të cilin roli i dy partive tradicionale është tashmë i harxhuar, i degraduar dhe i relativizuar – e humb betejën në dy fronte: ndaj qytetarëve (maqedonas, shqiptarë dhe të tjerë) që janë më të emancipuar se vetë partitë, dhe ndaj sistemit të kontrollit të jetës politike. Kjo më së miri ilustrohet me demonizimin e përbashkët ndaj BDI-së – sipas “matricës” së tyre të veprimit – si sulm indirekt ndaj shqiptarëve, për çështje ku vetë ata janë shumë më “të përfshirë”.
BDI është në fakt struktura politike më e organizuar brenda këtij sistemi të kapur, mbi të cilën nuk kanë kontroll.
Kjo është një kohë pjekurie për të gjithë. Dhe ndërkohë që presim zgjedhjet lokale, në rrethana dramatike dhe thellësisht të transformuara – në nivel rajonal, evropian dhe global – për të parë edhe një herë dukshëm se VLEN nuk mundet pa VMRO-DPMNE-në, dhe VMRO-DPMNE pa LSDM-në, duhet të shqetësohemi për çështjen thelbësore:
Pjesa më e madhe e qytetarëve të emancipuar (pa dyshim të orientuar pro-evropianisht), do të mbeten të papërfaqësuar.
Dhe do ta shikojnë përpjekjen për “SNS-izimin” e jetës politike në një anëtare të NATO-s dhe kandidate për BE – Maqedonia e Veriut – ku përveç shqiptarëve, më së shumti i pengojnë qytetarët. Një vend ku duhet të shembet edhe një paragjykim tjetër: se për interesin e qytetarëve (edhe të maqedonasve), për një shoqëri evropiane dhe funksionale (dhe perëndimore), gjatë gjithë këtyre viteve kanë kontribuar shumë më tepër dhe pa kalkulime shqiptarët dhe strukturat e tyre të pavarura politike, sesa “elitat” politike dhe të tjera maqedonase.
Ndonjëherë mjafton vetëm një këqyrje ndryshe, e të njëjtave gjëra. Pa paragjykime – ajo vegël e aq shumë dëshiruar, që u mungon elitave tona.