A po çahen radhët e VLEN? Deputetja e Alternativës del me retorikë personale dhe pa logon e koalicionit
Në prag të zgjedhjeve, një status i publikuar nga deputetja e koalicionit shqiptar qeverisës VLEN, ka ngritur pikëpyetje mbi unitetin brenda këtij blloku politik. Në postimin e saj, deputetja përdor një gjuhë të theksuar filozofike e morale, duke thënë:
“Kur njeriu i vendos vetes çmim, ai pranon të humbasë lirinë dhe dinjitetin, duke e kthyer veten nga një subjekt me shpirt në objekt të shitshëm. Ky është çasti kur njeriu pushon së qeni vlerë dhe bëhet mall.”
Ajo që bie në sy nuk është vetëm përmbajtja me tone kritike dhe tërthorazi akuzuese ndaj figurave që “shiten”, por edhe fakti se statusi është publikuar vetëm me logon e partisë së saj – Alternativa, dhe jo me logon e koalicionit VLEN, përfaqësuese e të cilit është në Kuvend.
Ky veprim ka ngritur dyshime nëse kemi të bëjmë me një spostim të qëllimshëm nga platforma e përbashkët drejt një pozicionimi individual, apo nëse pas këtij akti fshihen tensionime të brendshme në koalicion. A është kjo një përpjekje për të diferencuar veten dhe partinë në fushatë? Apo kemi shenja të para të një çarjeje të mundshme brenda VLEN-it?
Për momentin, nuk ka një deklaratë zyrtare nga koalicioni, por veprime të tilla individuale mund të sinjalizojnë mospërputhje strategjike dhe ambicie të veçanta brenda aleancës.