A po luhet me ligjet për të përcaktuar se kush do t’i drejtojë Gostivarin dhe Vrapçishtin deri në zgjedhjet e reja?
Për shumicën e komunave në Maqedoni zgjedhjet kanë përfunduar, por katër komuna kanë mbetur pa kryetar. Në rrethin e parë atje nuk u arrit censusi, që nënkupton se nuk votuan 33.33% e votuesve të regjistruar. Këto janë Qendër Zhupë, Mavrovë-Rostushë, Gostivar dhe Vrapçisht, ku pjesëmarrja ishte përkatësisht 21.49%, 25.18%, 30.31% dhe 33.31%.
Pasi votuesit nuk dolën në numër të mjaftueshëm, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) menjëherë u thirr në dispozitat e Kodit Zgjedhor.
“Zgjedhjet për kryetar komune do të përsëriten, gjegjësisht i tërë procesi zgjedhor i rrethit të parë. Do të ketë zgjedhje të reja brenda 60 ditëve nga dita e publikimit të rezultateve përfundimtare nga KSHZ”, deklaroi Boris Kondarko, kryetar i KSHZ-së, pas mbarimit të rrethit të parë zgjedhor.
Zgjedhjet e reja nënkuptojnë përsëritje të të gjithë procesit – nga shpallja, paraqitja e kandidaturave, fushata, e deri te votimi.
Parashikimet janë që zgjedhjet e reja të mbahen nga mesi i janarit, por pyetja që shtrohet është: kush do t’i drejtojë këto komuna deri atëherë?
Kryeministri Mickoski kishte paralajmëruar një skenar të mundshëm që në gusht:
“Gjithçka është e mundur. Fletëvotimi mund të jetë 7-8 metra i gjatë, mund të dekurajojë qytetarët të dalin në votime, të ulet censusi, por dua të theksoj se, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin, nëse procesi zgjedhor nuk është i suksesshëm, Qeveria është ajo që emëron të besueshëm të saj,” kishte deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski.
Pas dështimit të zgjedhjeve në këto katër komuna, veçanërisht në ato ku dominon disponimi opozitar, është hapur dilema se kush duhet t’i udhëheqë deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj.
Në Vrapçisht, kandidati i AKI-së për kryetar, Isen Shabani – që kërkon mandatin e tretë – kishte një epërsi të madhe ndaj kundërkandidatit nga koalicioni “Vlen”, Mehmet Seferi. Megjithatë, për shkak të pjesëmarrjes së ulët, nuk u zgjodh kryetar.
Në një deklaratë për “360 Gradë”, Shabani akuzoi se pushteti qëllimisht i bojkotuar zgjedhjet, pasi ai ishte favorit, dhe theksoi se tani nuk duhet të emërohen “të besuar” nga Qeveria, por Këshilli i Komunës duhet të zgjedhë ushtrues detyre.
“Kryeministri mund të emërojë të besuar të Qeverisë vetëm kur edhe në rrethin e dytë, për çfarëdo arsye, nuk zgjidhet kryetari i komunës. Në rastin tonë nuk kemi pasur rreth të dytë – zgjedhjet përsëriten nga e para. Prandaj duhet të konstituohet Këshilli, sepse vlejnë këshilltarët e zgjedhur,” deklaroi Shabani.
Në Gostivar, situata është e ndryshme. Pas zgjedhjeve të kaluara lokale, ish-kryetari Arben Taravari u bë ministër i Shëndetësisë dhe, për shkak të ndalesës për mbajtje të dy funksioneve, u ndryshua Ligji për Vetëqeverisje Lokale, duke mundësuar që Këshilli të zgjedhë ushtrues detyre të kryetarit.
Aktualisht, këtë funksion e ushtron Valbon Limani.
“Unë jam zgjedhur më 8 korrik 2024 nga Këshilli i Komunës së Gostivarit. Në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Neni 4, e ushtroj funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Këto ishin ndryshimet e fundit të bëra nga kjo Qeveri,” deklaron Limani.
Ndërkohë, kundërkandidatët e AKI-së në Gostivar dhe Vrapçisht kërkojnë që të mos ketë ushtrues detyre, por që komunat t’i drejtojnë “të besuar” të Qeverisë, ndërsa kandidatët opozitarë kërkojnë respektim të ligjit ekzistues dhe rol të Këshillit komunal.
Në thelb, interpretimi i ndryshëm politik po ndikon në mënyrën se si kuptohet ligji për katër komunat ku zgjedhjet e 19 tetorit dështuan.
Kodi Zgjedhor, në Nenin 134, e rregullon këtë çështje:
1. Nëse edhe pas rrethit të dytë, për çfarëdo arsye, nuk zgjidhet kryetar komune, Komisioni Zgjedhor në afat prej 15 ditësh pas mbarimit të zgjedhjeve e njofton Qeverinë.
2. Pas marrjes së njoftimit, Qeveria emëron të besuarin e saj.
3. Qeveria, brenda 15 ditësh pas emërimit, e njofton kryetarin e Kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Në këtë rast, pasi zgjedhjet dështuan në rrethin e parë e jo në të dytin, mbetet e paqartë nëse Qeveria ka të drejtë të emërojë të besuar, apo nëse drejtimin e komunave duhet ta mbajnë këshillat ekzistues dhe ushtruesit aktualë të detyrës.
Nga KSHZ për “360 Gradë” thanë se:
“Zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së voni 60 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Për këto zgjedhje nuk vlen më kushti për dalje prej një të tretës së votuesve të regjistruar. Pas përfundimit të afateve për ankesa dhe pas vendimeve të Gjykatës Administrative, KSHZ do të konfirmojë rezultatet dhe do ta njoftojë Kuvendin.”
Në këtë përgjigje, megjithatë, nuk përmendet asnjë mundësi për “të besuar” të Qeverisë. Edhe vetë Qeveria, e pyetur për këtë çështje, nuk ka dhënë ende një qëndrim të qartë.