AAK e NISMA po bëhen sërish bashkë në një koalicion parazgjedhor
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj pritet të nënshkruajnë sot koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net, koalicioni do të quhet “Fronti i përbashkët për vendin” dhe pritet të zyrtarizohet sot.
Dy krerët e partive gjatë ditës pritet të dalin në një konferencë për media për të kumtuar lajmin për bashkimin e tyre në një koalicion parazgjedhor.
Konferenca pritet të mbahet në ora 16:00.
Siç mëson gazeta online Reporteri.net, Ramush Haradinaj pritet të jetë bartës i listës dhe njëherit kandidat për kryeministër.
Pas tij në listë do të jetë kreu i Nismës, Fatmir Limaj.
AAK pritet të ketë një listë me 70 kandidat për deputetë, Nismës i janë lënë 30 vende dhe 10 vende tjera do të lihen për aderime të mundshme.
Renditja në listë zgjedhore do të jetë, dy kandidatë të AAK-së dhe një i Nismës.
AAK dhe Nisma kishin qenë në koalicion bashkë dhe në bashkëqeverisje edhe para disa viteve.
Bëhet fjalë për vitin 2017 deri në vitin 2019, kur Haradianj ishte kryeministër e Limaj zëvendës i tij.
Ndërkaq në zgjedhjet që pasuan, po në vitin 2019, Nisma që në atë kohë ishte në koalicion me AKR-në nuk arriti ta kalojë pragun duke mbetur kështu jashtë Kuvendit.
Pak javë e ndajnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të hyjë në vitin e katërt të mandatit qeverisës, ndërkohë që partitë opozitare vazhdimisht kanë qenë të zëshme duke kërkuar largim të kryeministrit Kurti, por jo edhe për mënyrën se si duhet të arrihet ky qëllim.
AAK-ja ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, kërkesë kjo që nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera opozitare.
14 shkurti, 2021 nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera.
Një parti politike, arriti të marrë mbi 50% të votave. Ky rezultat i mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijonte e vetme kabinetin e ardhshëm qeveritar.